Arrestimi i të dyshuarit për vrasjen në kazino në Lipjan, prokurori i rastit jep detaje

Sonte rreth orës 20:00, Policia e Kosovës ka arritur të arrestojë personin e dyshuar për vrasjen në kazino në Lipjan.

Vrasja kishte ndodhur dy javë më parë, e kjo kohë për prokurorin e rastit, Armend Hamitin ka qenë periudhë e gjatë por që është punuar intensivisht rreth rastit.

“Prokuroria në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kemi punuar intensivisht në zbardhjen e rastit të vrasjes në kazino në Lipjan. Pas dy javë punë intensive, që për ne ka qenë kohë e gjatë, kemi arritur të arrestojmë një person dhe janë konfiskuar edhe prova materiale të cilat do të dërgohen për ekzaminim. Prokuroria do të vazhdojë procedurat e mëtutjeshme hetimore, për të parë nëse ka edhe ndonjë person tjetër të involvuar në këtë rast. Pjesëtarët hetimor të Policisë së Kosovës kanë punuar për çdo ditë nga 24 orë rreth zbardhjes së rastit dhe kjo tregon që një bashkëpunim i mirë mund të na ofrojë rezultate të mira në luftimin e krimit”, ka thënë Hamiti, përcjell Ballkani.info.

Kujtojmë se vrasjet dhe problemet e fundit të ndodhura në lokalet e lojrave të fatit, sidomos ato të grabitjeve, kanë bërë që Qeveria e Kosovës të marrë vendim për mbylljen e këtyre veprimtarive për një periudhë 10 vjeçare. /Ballkani.info/