Policia: Kemi identifikuar veturën me të cilën ikën plaçkitësit e thasëve me para të bankës TEB

Policia e Kosovës ka njoftuar se numri i të dyshuarve që kryen grabitjen e armatosur në një bankë në dalje të Prishtinës është katër.

Sipas Policisë, është arritur të identifikohet vetura me të cilën katër të dyshuarit kanë kryer plaçkitjen e më pas janë arratisur.

Mësohet se tre prej katër plaçkitësve ishin të armatosur me armë të gjata. Ata kanë arritur të plaçkitin thasët me para që po futeshin në bankë nga sigurimi.

“Ju njoftojmë se sot rreth orës 15:00 policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur. Grabitja ka ndodhur në filialin e një banke që gjendet në Çagllavicë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni strukturat rajonale për hetimin e krimit me një intensitet të shtuar kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative dhe hetimore.

Mbështetur në rezultatet e para të grupit hetimor që po zhvillon hetimet lidhur me rastin në fjalë, dyshohet se kjo grabitje është realizuar nga katër persona të dyshuar dhe të armatosur”, thuhet në kumtesën e PK’së.

“Të dyshuarit pas grabitjes janë larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë e cila është identifikuar nga ana e policisë. Aktualisht policia po punon me përkushtim për të identifikuar të dyshuarit dhe vendndodhjen e tyre”, shton tutje Policia.

Plaçkitja ka ndodhur përkundër se paratë në bankë silleshin me kombi nga pjesëtarët e sigurimit të bankës.

Plaçkitja ka ndodhur rreth orës 15:00. Plaçkitësit kanë arritur të largohen menjëherë nga vendi i ngjarjes. Filiali i bankës e cila është plaçkitur është e “Teb Banka”, konfirmon për Ballkan.info

Në muajt e fundit, rastet plaçkitjeve të armatosura të bankave në Kosovë janë rritur dukshëm. Kujtojmë se para pak muajve një pjesëtarë i policisë në Istog u vra, derisa disa plaçkitës të armatosur po vidhnin në një bankë në këtë qytezë.