16 vjeçari që debutoi fundjavën e kaluar te Barcelona nuk kishte para për këpucë të reja

Trajneri i të rinjve të Barcelonës, Victor Valdes, ka zbuluar se ai i kishte ndihmuar futbollistit të vet, Anssumane Fatit, duke ia blerë një palë këpuca të reja, pasi e kishte parë gjendjen e këpucëve të futbollistit.

Anssumane Fati, 16-vjeçar, ishte në qendër të vëmendjes të dielën pasi u bë debutuesi më i ri i Barcelonës që nga viti 1941. Fati u fut në lojë gjatë fitores 5-2 të Barcelonës kundër Real Betisit.

Valdes e ka vëzhguar zhvillimin e sulmuesit të ri nga afër gjatë muajve të fundit. Mirëpo, ish portieri i katalonasve e ka pranuar se ndikimi i tij më i madh mund të ketë qenë ndërrimi i këpucëve të futbollistit gjatë një turneu në Rusi.

“Unë i thashë atij të m’i sjellë këpucët e tij dhe ato ishin një katastrofë e vërtetë, po i shkaktonin dhimbje”, u shpreh Valdes në një konferencë për shtyp të hënën.

“Askush nuk kishte besuar se problemi mund të kishin qenë këpucët, por unë mendova kështu. Pastaj dolëm dhe ia blemë një palë të reja”.

Pasi që Lionel Messi, Luis Suarez dhe Ousmane Dembele munguan në ndeshjen e së dielës për shkak të lëndimeve, Fatit i erdhi mundësia të debutojë për “Blaugranët”.

“Ai është i shpejtë dhe ka vetëbesim. Ti duhet t’i japësh një talenti të tillë liri, në mënyrë që ai ta shprehë veten në fushë. Jam shumë i lumtur për të, më telefonoi sot në mëngjes dhe kjo më bëri të lumtur”, shtoi Valdes.

“I jam mirënjohës Valverdes që ia dha atij disa minuta lojë. Paraqitja e tij nuk më habiti sepse ai e përfaqëson punën e palodhshme. Ai e ka shpirtin e një futbollisti elitar dhe ai është një gjahtar brenda 16-metërshit”.

loading…