​Zgjodhi Zvicrën para Kosovës, “Dardanët” shpallin person “non grata” Andi Zeqirin

Kombëtarja e Zvicrës ka publikuar dje listën e lojtarëve të ftuar për Kampionatin Evropian dhe në mesin e të ftuarve nga trajneri Petkoviç është edhe futbollisti kosovar Andi Zeqiri.

Ky vendim i Zeqirit, për të cilin drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës kanë bërë përpjekje të mëdha që ai të luajë për Kosovën, ka ngjallur reagimin e ashpër të grupit të tifozëve “Dardanët” të cilin e kanë shpallur atë si person “non grata”, përcjell KosovaPress.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, kryetari i “Dardanëve”, Lul Berisha ka bërë të ditur se tashmë Zeqiri është një person i padëshiruar nga mbështetësit e Kombëtares së Kosovës.

“Mashtrimet nuk tolerohen. Ai i Andit nuk ishte vetëm mashtrim ndaj federatës, por edhe ndaj tifozëve dhe mbarë popullit në Kosovës. Si i tillë mori përmasa edhe më të rënda. Ofendoi shumë keq të gjithë ata që u përpoqën ta afronin te Kosova”, shkruan Berisha në postimin e tij.

Tutje, kryetari i “Dardanëve” edhe si të pabesë Zeqirin dhe se një si ai nuk i duhet shqiptarëve

“Të pabesët nuk i duhen Kosovës. Nuk u janë̈ dashur shqiptarëve. Vetëm se, ta kesh të qartë një gjë: për Dardanët je i padëshiruar – NON GRATA. Për ne ti je vetëm një gërmallë mbeturinash. Nuk e meriton asnjë respekt”, thuhet në fund të shkrimit të numrit një të “Dardanëve”.