​Veseli takon dy të akuzuar për mashtrim me veteranë

Kryeparlamentari Kadri Veseli të hënën ka takuar dy të dyshuar për mashtrim me listat e veteranëve.
Për takimin e Veselit me Xhavit Jasharin dhe Fadil Shurdhajn, të dy nga organizatat e veteranëve të luftës, ka njoftuar Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve në facebook.

“Takim i Kryetarit të SHFD të UÇK-së Xhavit Jashari dhe SHIL të UÇK – së Fadil Shurdhaj me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veselin. Në takim u diskutua lidhur me plotësim ndryshimin e ligjit lidhur me pensionet e kategorive të ,,sakrificës” dhe pensionet kontributdhënëse. Në takim morën pjesë edhe përfaqësuesit e TMK – së dhe FSK – së dhe Gjeneral Imri Ilazi”, thuhet në njoftim.

Jashari dhe Shurdhaj janë në mesin e 12 të akuzuarve për mashtrime me listat e veteranëve. Në këtë grup janë edhe bashkëpartiakë tjerë të Veselit, si Agim Çeku dhe Nuredin Lushtaku. Në mesin e të akuxuarve janë edhe Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu dhe Smajl Elezaj.