​Pfizer: Koha për vaksinën antiCOVID-19 nuk kishte asnjë lidhje me politikën

Lajmet inkurajuese në lidhje me efektivitetin e vaksinës antiCOVID-19 nga kompania Pfizer erdhën gati një javë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, por kryeshefi i saj ekzekutiv Albert Bourla thotë se koha nuk kishte asnjë lidhje me politikën.

Në një intervistë për CNN, Bourla ka mohuar se lajmi për vaksinën antiCOVID-19 kishte motiv politik, pasi pritjet kanë qenë më të hershme për daljen e saj në javën e tretët të nëntorit.

Administrata Trump ishte e shpejtë për të marrë merita për lajmet premtuese të Pfizer.

Nënpresidenti Mike Pence shkroi në Twitter se zhvillimi i Pfizer ishte “falë partneritetit publik-privat të krijuar nga presidenti Donald Trump”.

Megjithatë Pfizer nuk ishte pjesë e “Operacionit Warp Speed” të administratës Trump, e cila siguroi stimuj për kompanitë farmaceutike për të rritur zhvillimin e tyre të një vaksine antikoronavirus.

Qeveria federale e SHBA-së premtoi 1.95 miliardë dollarë për Pfizer dhe partnerin e saj BioNTech (BNTX) për të ndihmuar me shpërndarjen e vaksinës sapo të jetë gati, por qeveria nuk po punon drejtpërdrejt për të ndihmuar zhvillimin e saj, shkruan CNN.

Trump u kishte telefonuar kompanive të barnave duke i bërë presion për zhvillime të reja para ditës së zgjedhjeve, duke thënë se do të donte të shihte një vaksinë të lëvizte më shpejt sesa disa nga këshilltarët e tij shëndetësorë thanë se ishte e arsyeshme.

Sot, presidenti i zgjedhur Joe Biden përshëndeti “lajmin e shkëlqyer” dhe tha se është gjithashtu e rëndësishme të kuptohet se fundi i betejës kundër COVID-19 do të marrë ende kohë, dhe se do të kalojnë edhe shumë muaj para se të ketë një vaksinim të përhapur në Shtetet e Bashkuara.

Megjithëse vaksina nuk është vendosur të administrohet gjerësisht së shpejti, kompania Pfizer tha se planifikon të kërkojë autorizimin e përdorimit emergjent nga Administrata e Barnave dhe Ushqimit në SHBA menjëherë pasi vullnetarët janë monitoruar për dy muaj pas dozës së tyre të dytë të vaksinës.

Ndërsa zhvillimet nënkuptojnë që po bëhet përparim, ato do të bëjnë pak për të zbutur valën e dimrit të koronavirusit në një periudhë afatshkurtër, duke pasur parasysh se do të arrijë deri në vitin 2021 para se doza të jetë në dispozicion për të gjithë amerikanët.