​Në 20- vjetorin e rënies përkujtohet Mustafë Haxhiu

Në 20 -vjetorin e rënies është përkujtuar heroi i Kosovës Mustafë Haxhiu, për të cilin u tha se ishte trim i pashoq dhe që ishte i gatshëm të vdiste për atdheun.

Homazhe pranë varrit të Mustafë Haxhiut në kompleksin memorial në fshatin Ternavc ka bërë edhe kryetari i Komunës së Skenderajt Bekim Jashari, i cili tha se e kanë për obligim të nderojnë ata që e mundësuan lirinë e vendit. “Neve e kemi për obligim moral, ligjor dhe kushtetues e njerëzor për t’i nderuar dhe respektuar ata të cilët na mundësuan që ne sot të jemi të lirë dhe të marrim frymë lirshëm. Po nuk i nderuam dëshmorët, po ashtu edhe familjet e tyre atëherë çka mund të bëjmë ne më shumë si institucione dhe si shtet. Kështu që, neve e kemi si obligim t’i nderojmë, kujtojmë dhe asnjëherë të mos harrojmë se ata nuk kanë ra vetëm për çlirimin e këtij vendi, por edhe për zhvillimin dhe ndërtimin e këtij vendi. Neve e kemi obligim me punua natë e ditë duke u munduar për të bërë diçka më të mirë për këtë vend dhe gjeneratat e reja që po vijnë”, u shpreh ai.

Ndërsa, deputeti Bekim Haxhiu, njëherësh familjar i heroit Mustafë Haxhiut tha se në këtë 20 vjetor përveç dhimbjes ndjejnë edhe krenari pasi kujtojnë një luftëtar trim.

“Është ky 20 vjetori i rënies së Mustafë Haxhiut, një luftëtari trim, të pashoq dhe këto ditë janë ditë jo vetëm të dhimbjes po edhe të krenarisë. Sepse kjo tokë lindi burra si Mustafa të cilët ishin të gatshëm në çdo kohë të vdesin për atdheun, për shpëtimin e kombit tonë, sepse 20 vite më parë kombi ynë po rrezikohej nga shfarosja dhe falë trimave të UÇK-së kombi ynë shpëtoi dhe arritëm lirinë e shumë kërkuar ndër shekuj”, tha ai.