​Merkel: Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është lajm i mirë për Evropën

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka zhvilluar një bisedë telefonike me kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, ku kanë diskutuar për zhvillimet e fundit në rajon, veçanërisht Marrëveshjen e Prespës dhe vizitën e kryeministrit grek, Tsipras, në Shkup ditë më parë.

Në këtë bisedë u tha se zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është shembull pozitiv për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këto janë lajme të mira për Evropën.Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës konfirmon se dialogu dhe diplomacia krijojnë rezultate pozitive për tejkalimin e çështjeve të hapura, të cilët mund të sjellin përfitime të drejtpërdrejta ekonomike për qytetarët.

Kryeministri Zaev gjithashtu e informoi Kancelaren Merkel edhe për zhvillimet tjera politike në shtet, siç është mbajtja e dialogut të hapur me opozitën në lidhje me reformat ku dhe janë arritur rezultate konkrete me miratimin e një ligji të ri kundër diskriminimit, themelimin e Komisionit kundër korrupsionit, si dhe reformat në shërbimet e sigurisë dhe administratën publike.

Dialogu për të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike është në rrjedhë.Kryeministri Zaev e falënderoi Kancelaren Merkel për mbështetjen që Gjermania e dha në të gjitha proceset, duke përfshirë edhe tejkalimin e kontestit për emrin me Greqinë fqinje, reformat e brendshme, veçanërisht me këshilltarin ekonomik që Gjermania e siguroi, me qëllim që t’i ndihmojë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.Duke pasur parasysh ngjarjet e lartpërmendura, kryeministri Zaev kërkoi mbështetje në lidhje me vendimin për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut të cilin duhet ta miratojë Këshilli i BE-së në qershor, raporton Alsat-M.

Kancelarja Merkel e përshëndeti zhvillimin pozitiv të zbatimit të Marrëveshjes të Prespës, si dhe zbatimin e reformave të vendit përmes dialogut të hapur me opozitën, gjë që sipas saj do të sjell rezultate pozitive dhe konkrete.