​KQZ merr vendim për rinumërimin e rreth 500 vendvotimeve për asamble

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur që rreth 500 vendvotime të cilat u takojnë zgjedhjeve për Kuvende Komunale të 17 tetorit, do të rinumërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

Kështu është vendosur pas më shumë se 350 ankesave të paraqitura në këtë institucion nga kandidatët për Kuvende Komunale kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ-ja.

Nga ky numër i vendvotimeve që do të rinumërohen, rreth 450 janë vendvotime të rregullta, ndërsa janë përfshirë edhe dengje të votave me kusht dhe atyre me postë.

Bëhet fjalë për 10 dengje të votave me kusht nga Mitrovica e Jugut dhe tetë për Podujevë, si dhe disa dengje të votave nga jashtë Kosovës që u takojnë komunave Mitrovicë e Jugut, Poduejvë, Pejë dhe Prizren.

Këto të dhëna të paraqitura në mbledhjen e KQZ-së janë jo-përfundimtare, pasi do të shikohen edhe një herë të dhënat nga vendimet e PZAP-it.

Rinumërimi i këtyre vendovotimeve do të fillojë të hënën më 8 nëntor, në orën 17:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.