Rrezarta Krasniqi

Krasniqi: Masat ndaj Kosovës u vendosën për shkak të qeverisë, drejtuesit e saj kanë mbetur të izoluar

Bashkimi Evropian ende nuk ka dhënë ndonjë datë se kur do të largohen masat sanksionuese ndaj Kosovës. Masa këto të cilat u vendosën para disa muajsh, për shkak të tensionimit të situatës në veri. Kërkesat për largimin e masave sanksionuese u shtuan pasi në veri u realizua procesi i votimit për shkarkimin e katër kryetarëve në veri.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi duke komentuar situatën aktuale u shpreh se masat janë vendosur për shkak të qeverisë.

“Masat e Bashkimet Evropian ndaj Kosovës u vendosura për shkak të kësaj qeverie, mos-përgjegjësin së saj në raport me partneret. Për herë të parë Kosova përballet me këto masa dhe që nuk janë aspak të drejta, kjo qeveria, udhëheqësit e kësaj qeverie kanë krijuar mosbesim tek partneret dhe pasojat po i bart shteti i Kosovës dhe qytetarët ku janë bllokuar projekte për qytetarët e Kosovës”, ka theksuar ajo për Telegrafin.

Krasniqi thotë se largimin e masave ka kërkuar edhe në Parlamentin Evropian, gjatë kohës sa ajo ka realizuar një vizitë.

“Unë edhe vizite e e fundit që isha në parlament Evropian bëra thirrje që masat të largohen dhe Kosova të vazhdojë rrugën e saj drejt integrimit me mbështetjen e plotë të partnerëve”, potencoi ajo.

Deputetja gjithashtu deklaroi se drejtuesit e qeverisë kanë dështuar.

“Përgjegjësia kryesore për këto masa është kjo qeveri, drejtuesit e kësaj qeveri që janë mbetur të izoluar që askush nuk i pret kanë dështuar në çdo segment qeverisë, të zhytur në korrupsion që nuk ka ditë kalon pa e bërë ndonjë skandal”, potencoi mes tjerash ajo.

Ndryshe, edhe Qeveria e Kosovës ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që përfundimisht të largohen masat e vendosura ndaj vendit tonë.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm, është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në reagim.

Ndërsa, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në një konferencë për media tha se Bashkimi Evropian kur i ka vendosur masat e ka bërë të qartë se janë të përkohshme dhe mund të hiqen, por për këtë tha vendosin shtetet anëtare të BE-së, e jo politikanët e Kosovës.

“…kur janë vendosur masat Bashkimi Evropian ishte i qartë se ato janë të përkohshme dhe mund të hiqen, por për këtë vendosin vendet anëtare të BE-së, e jo kur vendosin politikanët e Kosovës…”, tha Stano, pasi u pyet se kur pritet largimi i masave ndaj Kosovës.

Ndryshe, procesi i votimit për shkarkimin ose jo të kryetarëve shqiptarë në katër komunat në veri që u mbajt të dielën më 21 prill, po shihet si një proces i dështuar.

E gjithë kjo për shkak të pjesëmarrjes së vogël të qytetarëve në votim në këto komuna.