​Kosova, kampione e U18 në “FIBA European Challenger”

Përfaqësuesja U18 e Kosovës në basketboll në konkurrencën e meshkujve ka triumfuar në “FIBA European Challenger”.

Në finale, “Dardanët” e rinj e mposhtën Luksemburgun me rezultat të thellë 84:58, të dielën, në ndeshjen që u luajt në Tiranë.

“Dardanët” shënuan katër fitore në katër ndeshje duke u shpallur kampione të kësaj gare. MVP i këtij kampionati u shpall Visar Ejupi i Kosovës.

Pas një fillimi të baraspeshuar, basketbollistët e Kosovës filluan të luajnë më mirë në finale, duke pasur epërsi 20:12, derisa çereku i parë përfundoi 26:20. Basketbollistët e Kosovës vazhduan me lojë të mirë në periudhën e dytë, duke ngritur epërsinë deri në 10 pikë, 34:24. Por fal një serie të mirë të basketbollistëve të Luksemburgut në pushim Kosova shkoi me një pikë epërsi, 46:45.

Kosova ishte e mirë në çerekun e tretë, dominoi në mbrojtje dhe në sulm, ku arriti epërsi prej 20 pikësh, 68:48, ndërsa Luksemburgu shënoi vetëm tri pikë për dhjetë minuta. Kosovarët menaxhuan lojën edhe në 10 minutat e fundit, madje thelluan edhe më shumë epërsinë, për të triumfuar me 84:58.

Te Kosova në finale u dalluan Dion Sheqiri me 14 pikë, 8 kërcime e 9 asistime, Hajriz Hajzeri me 11 pikë e 10 kërcime, Rinol Gashi me 13 pikë e 10 kërcime.

Vendin e tretë e zuri Shqipëria, të katërtin Andorra. Gjibraltari u rendit i pesti, Malta zuri të gjashtin dhe Moldavia të shtatin.