​Invalidi i luftës që po lufton me skamjen

Dikur luftonte për lirinë e vendit, e sot më të vështirë po e ka ‘’luftën’ për mbijetesë.

Në një dhomë të vogël, e cila as ajo nuk është e tij po i zbardh dhe  ngrys ditët e vështira të jetës familja gjashtë anëtarëshe e Fehmi Hysenit, nga Stanovci i Vushtrrisë.

Hyseni është invalid i luftës dhe tërë pasurinë që e kishte pasur e kishte shitur për shërim të gruas së tij.

Fehmi Hyseni para 20 vitesh ishte plagosur në luftë, por ai asnjëherë nuk e kishte menduar se jeta në liri do të jetë  shumë  e vështirë.

Ai ka frikë se fëmijët e tij një ditë do të mbesin rrugëve.

Sot derisa me vështirësi po ua siguron kafshatën e gojës fëmijëve, të cilëve ua solli lirinë, thotë se nuk e kishte menduar që këtë liri që ata e gëzojnë, do të jetë në varfëri të skajshme.

Për jetën e vështirë që po bën Fehmiu rrëfen vet, pasi që gruaja e fëmijët nuk duan të dalin para kamerës, e 20 vjet pas luftës, i zoti i kësaj familje, thotë se përveç shoqatave, nuk i kishte ndihmuar askush.

E kjo gjendje bëhet edhe më e rëndë në prag festave. Ani pse, për Fehmi Hysenin ato nuk kanë rëndësi.

42 vjeçari, i mërzitur nga jeta e vështirë, tregon se që nga paslufta ka kryer tri operacione, për çka nuk është as i aftë për punë.

E, me sy të përlotur rrëfen se sa të vështirë e ka si prind, që t’ua plotësojë kërkesat fëmijëve të tij, kërkesa që nuk përfshijnë më shumë se një kafshatë goje e një kulm, ku do të qëndrojnë pa frikën se një ditë do të mbesin në rrugë.

Enver Abdyli nga shoqata “Diaspora”, tash e një javë ka identifikuar këtë rast, ku edhe bën thirrje për mobilizim që sa më shpejt të strehojnë këtë familje, që në këto ditë të ftohta dimri, familja gjashtë anëtarëshe mos të mbetet në rrugë.

Në këtë dhomë, familja gjashtë anëtarëshe do të ketë mundësi të qëndrojnë edhe dy javë, pas kësaj kohe ata rrezikohet të mbesin në rrugë. Edhe vet Fehmi Hyseni po bën thirrje për të gjithë ata që kanë mundësi, të kontribuojnë që sa më shpejt të jetë shtëpia e gatshme gati për strehim.