​​LDK ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidati për kryeministër

Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka vendosur se kush do të jetë kandidati për kryeministër nga kjo parti. Kështu është thënë pas mbledhjes konstituive të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

Pas mbledhjes deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani ka deklaruar se kanë diskutuar se si di t’i fitojnë zgjedhjet, derisa është shprehur e bindur se LDK do të dal e para në zgjedhjet që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

E pyetur se a kanë diskutuar se kush do të jetë kandidati për kryeministër, Osmani tha se kjo do të vendoset më vonë. Ajo nuk ka komentuar se kush do të ishte bartësi më i mirë nga kjo parti, por vetëm ka thënë se do t’i fitojnë zgjedhjet.

“Kemi diskutuar qysh me i fitua zgjedhjet dhe kemi me i fitua. Ato vendosen pak më vonë, mirëpo me rëndësi është që kemi diskutuar për programin tonë dhe për të gjitha veprimet që do t’i ndërmarrim të gjithë anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm, degët, të gjithë së bashku, në mënyrë që t’i fitojmë zgjedhjet. Personalisht mendoj që zgjedhjet do t’i fitojmë dhe kaq mund të them për momentin”, tha ajo.

Ndërsa deputeti, Naser Rugova tha se LDK është më unike se kurrë dhe se është e gatshme për zgjedhje. Edhe Rugova tha se nuk është diskutuar për kandidatin për kryeministër nga LDK.

“Ishte një mbledhje e mirë, përmbajtjesore, biseduam për të gjitha temat, LDK është më unike se kurrë, është e gatshme për zgjedhje, jemi të gatshëm për të gjitha sfidat, do ta fitojmë këtë garë dhe do të rikthehemi fuqishëm në fillim vjeshtën e këtij viti… Jo, ky ka qenë një takim konstituiv i Këshillit të Përgjithshëm, kemi biseduar për mobilizimin, kemi biseduar për qasjen me struktura, thjeshtë për një mobilizim maksimal të të gjithëve në LDK”, tha ai.

Pas mbledhjes edhe zyra për media e LDK-së ka lëshuar një komunikatë për media, ku aty thuhet se në këtë mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm reflektoi unitetin e arritur në Kuvendin IX Zgjedhor të LDK-së.

Në komunikatë thuhet se Këshilli i Përgjithshëm diskutoi lidhur me organizmin e të gjitha strukturave të LDK-së, në të gjitha nivelet, për të rritur edhe më tej përkrahjen qytetare për LDK-në si partia më e madhe në vend.

“Këshilli i Përgjithshëm diskutoi edhe lidhur me politikat themelore dhe çështjet që do të përmbajë Programi qeverisës i LDK-së, i cili do të jetë edhe Program i Qeverisë së re të Kosovës. Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së vlerësoi se koalicioni PAN e ka keqqeverisur vendin, ka dëmtuar raportet me partnerët strategjikë të vendit, i ka lënë të izoluar qytetarët e Kosovës. Përballë kësaj situate tepër të rëndë, LDK-ja do të ndërmarrë hapa për të garantuar pozicionin e saj si parti e parë dhe që Qeveria e re të punojë në interes të vendit, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, të zhbllokojë procesin e integrimit euro-atlantik, si dhe të kthejë shpresën e qytetarëve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në fillimit të mbledhjet nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa janë lexuar disa nga emrat e anëtarëve të rinj të Këshillit të përgjithshëm.

“Ismet Beqiri, Halim Halimi, Fatmir Sejdiu, Florian Dushi, Vjosa Osmani, Ukë Rugova, Hazir Borovci, Besian Mustafa, Besnik Krasniqi, Muhamet Hamiti, Izet Sadiku, Kujtim Shala, Besa Gaxherri, Shkumbin Gashi, Albulena Muja Bajraktari, Syzana Mulliqi, Agim Bërdynaj, Gazmend Muhaxheri, Imri Ahmeti, Naser Osmani, Flora Nimani Hajruni, Lutfi Haziri, Lirie Kajtazi, Fatmir Rexhepi”, janë disa prej emrave që i ka lexuar kreu i LDK-së Isa Mustafa.