Kryetari i AAK-së

Haradinaj refuzon ftesën e Kurtit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka ftuar për të hënën në një darkë pune liderët e tri partive opozitare të Kosovës, Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), për të diskutuar rreth përmbushjes së agjendës legjislative për sezonin pranveror.

Shefi i ekzekutivit, Albin Kurti në letrën të cilën ua dërguar tri partive opozitare thekson se arsyeja pse ka kërkuar takim me  krerët e partive dhe shefat e Grupeve Parlamentare ka të bëjë me atë që të diskutohen hapat për përmbushjen e agjendës legjislative.

Ashtu siç raportoi më herët Ballkani.info kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj,  ka refuzuar kërkesën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për një darkë pune.

Haradinaj në letrën drejtuar kryeministrit të vendit ka thënë se tema e darkës së punës bie në përgjegjësinë e shefave të grupeve parlamentare.

“Sa i përket temës  së kësaj darke, besoj se kjo bie në përgjegjësin e shefave të grupeve parlamentare  Z. Besnik Tahiri i cili udhëheqë grupin tonë parlamentar dhe kolegë të tjerë, jam i bindur se do të diskutojnë në frymën kolegiale dhe do të gjejnë një gjuhë, që pastaj do të përçohet në Kuvend nga grupet tona parlamentare për zbatim. Konsideroj që kjo temë bie drejtpërdrejt në përgjegjësinë dhe në dijen e tyre”, thuhet në letër.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka treguar se nëse darka e punës është për çështje të tjera në interes nacional do të trajtohet për një kohë tjetër.

“Ndërsa, në qoftë se ka ndonjë temë tjetër që lidhet me momentumin politik, atëherë këtë çështje mund ta trajtojmë në një kohë tjetër, në një moment tjetër në mënyrë që të përafrojmë qëndrimet që janë në interes nacional”, ka përfunduar letra e Haradinaj drejtuar shefit të ekzekutivit./Ballkani.info/

Postimi i plotë:

LEXO EDHE: