Komuna e Kaçanikut është përfshirë në hetime nga Prokuroria e Ferizajt pas konstatimit të një konflikti interesi nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit. Zyrtari Izahir Kuka, ushtrues detyre i Menaxherit të Prokurimit, ka dhënë tenderin prej 73 mijë e 643 eurosh për rregullimin e hapësirave publike kompanisë “NIKA PRO-ING”, me të cilën ka pasur lidhje afariste.

Komuna e Kaçanikut është kthyer në qendër të hetimeve të Prokurorisë së Ferizajt.

Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka konstatuar konflikt interesi në një kontratë prej 73 mijë e 643 eurosh për rregullimin e hapësirave publike.

Sipas këtij institucioni, Izahir Kuka, ushtrues detyre i Menaxherit të Prokurimit, ia kishte dhënë tenderin kompanisë “NIKA PRO-ING”, me të cilën kishte lidhje afariste.

Kjo situatë konfirmohet edhe nga një tender tjetër publik në kompaninë “Iber Lepenc”, ku Kuka shfaqet si pjesë e NIKA PRO-ING.   

Një referencë e datës 29.12.2023 vërteton se Kuka ka punuar me këtë kompani dhe vazhdon të kryejë aktivitete profesionale për të.

“Ekziston situatë e konfliktit të interesit në rastin me Nr. Protokoli: HQPCRB-0046/25 për zyrtarin e lartë z. Izahir Kuka, ushtrues detyre i Menaxherit të Prokurimit. I njëjti, në cilësinë e Menaxherit të Prokurimit, ka nënshkruar kontratën publike me titull: “Rregullimi i hapësirave rekreative Shtegu i Lirisë, Faza e I-ré” me Operatorin Ekonomik “NIKA PRO-ING” SH.P.K., me seli në Ferizaj, me të cilën kompani ka marrëdhënie afariste. Me veprimet e tilla, zyrtari Izahir Kuka ka shkelur dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, duke rënë ndesh me: neni 9, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8, lidhur me nenin 17, nenin 6, dhe nenin 3, paragrafin 1, nënparagrafët 1.2, 1.6 dhe 1.12. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, në mbështetje të nenit 21, paragrafi 1, nënparagrafi 1.8, nenit 24, paragrafi 6, lidhur me nenin 19, paragrafi 2, nënparagrafi 2.5 dhe paragrafi 4 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit, kërkon nga Komuna e Kaçanikut: Anulimin e aktit/kontratës me titull: “Rregullimi i hapësirave rekreative Shtegu i Lirisë, Faza e I-ré”, me Numër të Prokurimit: KA652-6759-5-2-1, të nënshkruar më datë 20.08.2024, konform dispozitave përkatëse të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit. Inicimin e procedurës disiplinore ndaj z. Izahir Kuka për shkeljet e dispozitave të nenit 24, paragrafi 1 dhe paragrafi 2 të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Megjithatë, Komuna e Kaçanikut nuk ka bërë të ditur se si do të veprojë në këtë rast.

Zyra për Informim ka deklaruar për Televizionin se procesi ndodhet ende në fazën e hetimeve nga prokuroria dhe nuk duan të flasin pa përfunduar ato.

Në anën tjetër, Leorentë Aliaj nga Democracy Plus që për vite ka monitoruar proceset e prokurimit publik, thotë se ky rast përbën shkelje të Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit.

“Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, përmes vendimit të saj, ka konstatuar se ekziston konflikt interesi për zyrtarin e lartë Izahir Kuka, i cili njëherësh është edhe ushtrues detyre i menaxherit të prokurimit publik në komunën e Kaçanikut. Në cilësinë e menaxherit, ai ka nënshkruar një kontratë publike me një operator ekonomik, ku figuron si konsult i kësaj kompanie. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, përmes vendimit, ka kërkuar nga Komuna e Kaçanikut anulimin e kësaj kontrate, e cila është nënshkruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit”, thotë Alija.

Sipas saj, i njëjti zyrtar vazhdon të jetë pjesë active e Zyrës së Prokurimit.

“Po ashtu, Agjencia ka kërkuar nga Komuna e Kaçanikut inicimin e procedurës disiplinore ndaj zyrtarit Izahir Kuka, dhe, në bazë të mandatit të saj, ka iniciuar rastin në prokurorinë kompetente. Për të konfirmuar këtë çështje, në platformën e E-Prokurimit u konsultuan kontratat e nënshkruara, ku u konfirmua se i njëjti zyrtar vazhdon të jetë pjesë e Zyrës së Prokurimit dhe ushtron detyrën e ushtruesit të detyrës së menaxherit të prokurimit”, thekson ajo.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka konfirmuar se rasti ndodhet ende në fazën fillestare dhe se nuk mund të japë ndonjë detaj. /Express