Zyrtari i PDK-së i kërkon falje Walkerit pasi Osmani s’ia vazhdoi kontratën

Zyrtari i PDK-së, Betim Gjoshi ka reaguar pas raportimit se presidentja Osmani nuk ia vazhdoi kontratën ish-ambasadorit William Walker.

Përmes një postimi në Facebook, Gjoshi i ka kërkuar falje ish-ambasadorit Walker, duke thënë se në krye të shtetit të Kosovës ka njerëz që janë aksidentalisht aty.

Madje ka thënë se të njëjtit nuk i lidhë gati asgjë me historinë e Kosovës.

“Ju kërkojmë ndjesë z. Walker, sepse momentalisht dhe aksidentalisht janë disa njerëz në krye të shtetit që nuk i lidhë gati asgjë me historinë e Kosovës”, ka shkruar Gjoshi.

Ish-ambasadori i OSBE-së në Kosovë, William Walker në një intervistë për T7, ka thënë se ai ka pritur një telefonatë nga shefja e shtetit.

“Sa i përket pyetjes së parë, jo, unë nuk e kam diskutuar këtë me presidenten Vjosa Osmani dhe nuk kam komunikuar me të që para zgjedhjeve, atëherë kur doli storja se ajo në njëfarë mënyre e ndërpreu kontratën me Fondacionin. Mendoj se ajo ka qenë shumë e zënë me garën zgjedhore dhe me negociatat për formimin e Qeverisë së re. Tani ajo është presidente, dhe siç thashë edhe më herët nuk kam folur me të që nga biseda e parë dhe në njëfarë mënyre kam pritur që ajo të më telefonojë”, ka thënë Walker.