Zyrtari i lartë amerikan ka një porosi për liderët e Kosovës

Ndihmës asistenti i Sekretarit të Departamentit të Shtetit, Jorgan Andrews, ka thënë se është më e rëndësishme të ketë vazhdimësi të llogaridhënies nga gjykatësit e prokurorët.

Zyrtari amerikan ka shprehur dyshime për procesin e vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Komentet, ai i ka bërë gjatë vizitës në Prishtinë, gjatë një debati me anëtarë të shoqërisë civile.

“Kosova duhet të gjejë mekanizma për t’i ndëshkuar avokatët, prokurorët dhe gjykatësit, të cilët nuk kryejnë punën bazuar në rregulla dhe etikë. Ky sistem rregullti duhet të aplikohet gjatë tërë kohës dhe karrierës së tyre, e jo, të themi, vetëm në fillim të karrierës të kalojë dikush nëpër proces të vettingut dhe të përfundojë çdo gjë aty. Nuk funksionon kështu, sepse njerëzit të cilët nuk janë të korruptuar mund të korruptohen më vonë nga sistemi. Vendet që e kanë bërë vettingun kanë pasur sfida dhe rreziqe”, ka thënë Andrews.

Ai ka folur edhe për progresin që ka thënë se institucionet e kanë bërë, por shtoi se duhet ende punë në këtë drejtim.

“Puna jonë është që të ndërtohet dhe punohet në sundimin e ligjit dhe të kthehet besimi në institucione. Duke i monitoruar institucionet dhe gjykimet, sikurse bëjnë organizatat e shoqërisë civile, mund të arrihet një gjë e tillë. ShBA-ja, për shumë vjet, punon në sistemin e drejtësisë, sepse asnjëherë nuk mund të ketë drejtësi të përkryer në asnjë vend”, ka shtuar zyrtari amerikan.

Zëvendës-ndihmëssekretari i ShBA-së ka marrë pjesë edhe në ceremoninë e dhurimit të pajisjeve në vlerë prej rreth 100 mijë dollarësh, për Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, nga Byroja për çështje ndërkombëtare të narkotikëve dhe zbatimit të ligjit.

Ai, gjatë së enjtes, ka takuar edhe kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se me të ka biseduar për partneritetin e Kosovës me SHBA-në, “në luftën kundër trafikimit të narkotikëve, krimit të organizuar dhe korrupsionit”.