Rregullatori Evropian

Zyrtari i EMA-së: Ka lidhje të qartë mes mpiksjes së gjakut dhe vaksinës së “AstraZenecas”

Një zyrtar i lartë i Rregullatori Evropian i Barnave (EMA) ka thënë për një gazetë italiane se është e qartë që ka një lidhje mes vaksinës së “AstraZenecas” dhe mpiksjes së gjakut, por shkaktari s’është i njohur.

“Për mendimin tim, ajo që mund të themi tash, është se ka lidhje të qartë me vaksinën. Por ende s’e dimë se çka po e shkakton këtë reagim”, ka thënë shefi i EMA-së për vaksina, Marco Cavaleri, për “Il Messaggero”.

Raportohet se rregullatori do të bëjë deklaratë zyrtare në pak orë.

EMA javën e shkuar njoftoi se po pret për përditësim të rekomandimeve për vaksinën.

Gjermania, Italia, Franca, Spanja dhe Holanda së fundmi kanë limituar vaksinimin me “AstraZeneca” për grupet e moshuara, teksa po presin hetimin e EMA-s.

Vaksina e “AstraZenecas” kundër koronavirusit është e vetmja me të cilën është furnizuar Kosova deri sot. 24 mijë doza të kësaj vaksine kanë ardhur ditë më parë nëpërmjet programit COVAX.