ZYRTARE: Topalli nga Ballkani kalon në Superligën e Turqisë

Jetmir Topalli ka nënshkruar kontratë trevjeçare me skuadrën e Superligës së Turqisë, Yeni Malatyaspor.

Futbollisti i lindur në Kaçanik e që në Kosovë karrierë bëri me 2 Korrikun, Vushtrrinë dhe së fundmi Ballkanin, e kompletoi kalimin e tij në elitën e futbollit të Turqisë të enjten në mbrëmje. Ishte pjesë edhe e Feronikelit verën e kaluar në garat parakualifikuese të Ligës së Kampionëve dhe të Ligës së Evropës.

22-vjeçari në gjithë edicionin 2019/20, ka luajtur 38 lojë, derisa ka kontribuuar me tetë gola e një asistim. Është shprehur shumë i lumtur që i është bashkuar këtij ekipi.

“Përshtypjet e para janë shumë të mira, jam shumë i lumtur që jam pjesë e tyre. Falënderoj presidentin e Ballkanit, Arsim Kabashin, dhe presidentin e klubit, Yeni Malatyaspor, për gjithçka që ka ndodhur këto ditë”, kanë qenë fjalët e para të Topallit, pas nënshkrimit të kontratës.

Megjithatë, sulmuesi i krahut asnjëherë nuk e ka menduar se për një kohë kaq të shkurtër do të mbërrijë kaq shumë në karrierë.

“Të them të drejtën nuk e kam pritur që do të ngrihem kaq shumë në karrierë. Falënderoj Zotin për mundësinë dhe gjithashtu personat që më kanë ndihmuar e që është një listë e madhe, por një ditë do t’i përmend të gjithë. Më duhet të jap maksimumin si gjithmonë dhe më pas të më shpërblehet puna me ndihmën e Zotit”, ka thënë ai.

“Shpresoj që të kem shëndet, fat dhe shpresoj që një ditë të marr ftesën edhe nga Kombëtarja jonë e Kosovës”, përfundoi Topalli.

E me transferimin e Topallit te skuadra e elitës së futbollit të Turqisë, i lumtur është shprehur edhe menaxheri i 22-vjeçarit, Driton Bajrami.

“Jam shumë i gëzuar që është arritur një transferim i tillë për Jetmirin. Jetmiri e ka dëshmuar veten si futbollist në Superligën e Kosovës. Për të ka pasur shumë oferta nga klubet e tjera, turke e gjermane, por kjo ka qenë më e mira për Jetmirin. Shpresoj që të ketë sa më shumë suksese”, ka thënë Bajrami për KOHËN.

Skuadra e Yeni Malatyasporit edicionin që lamë pas përfundoi në vendin e 16-të. Megjithatë, Federata e Futbollit e Turqisë vendosi që të mos ketë rënie nga elita, derisa Superligës turke i janë shtuar edhe tri ekipe.

Në Superligën e Turqisë, Malatyaspori bën gara që prej vitit 2017-të, ndërsa në edicionin që kaloi, ka luajtur edhe në kualifikimet e Ligës së Evropës.