Zyrtare: Skriniar rinovon kontratën me Interin deri në vitin 2023

Fjalët qarkullonin prej javësh, por sot ka ardhur edhe konfirmimi zyrtar i rinovimit të kontratës së mbrojtësit Milan Skriniar, me klubin e Interit.

Mbrojtësi iu bashkua zikaltërve në verën e 2017-ës, teksa erdhi nga Sampdoria, ndërsa në dy sezone është shndërruar jo vetëm një pikë kyçe të formacionit të Spallettit, por edhe në një futbollist të lakmuar nga klube të mëdha europiane.

Megjithatë palët gjetën akordin që kontratën e cila skadonte në verën e vitit 2021, ta zgjasin deri në verën e 2023-shit, ndërsa paga e mbrojtësit është rritur në 3 milionë euro në sezon, plus bonuset.

“Së bashku, sepse kështu jemi më të fortë. Milan Skriniar dhe Interi, kanë horizonte të njëjta dhe për këtë arsye klubi ka vendosur të zgjasë bashkëpunimin me të deri në verën e vitit 2023”, thuhet në komunikatën e Interit në rrjetet sociale.