Zyrtare: Ponte e humb ndeshjen në tavolinë, Peja në finale, pas dhunës në Prizren

Peja do t’i bashkohet Yllit në finalen e play-off’it në Superligë, pasi Federata e Basketbollit e Kosovës e dënoi Ponte Prizrenin për dhunë.

Federata e Basketbollit e Kosovës ka marrë vendim që, ndeshja e ndërprerë shkaku i dhunës mes Ponte Prizrenit dhe Pejës, të regjistrohet me rezultat zyrtare 20:0 për Pejën.

Ndeshja e pestë gjysmëfinale në play-off të Superligës mes Ponte Prizrenit dhe Pejës të martën në Prizren u prish nga dhuna në palestër. Në përleshje u përfshinë lojtarët edhe zyrtarë nga të dy palët dhe si pasojë ndeshja u anulua.

Ponte dhe Peja ishin 2:2 në serinë gjysmëfinale dhe ajo ndeshja do të vendoste se cila prej tyre do t’i bashkohej Yllit në finalen e madhe. Peja po fitonte 49:48 kur ndeshja u ndërpre.

FBK-ja ka vendosur tani që t’ia japë fitoren Pejës duke u thirrur në Nenin 39.6.6 të Propozicioneve të Garave.

“Konform Nenit 39.6.6 të Propozicioneve të Garave me vendimin e marr nga gjyqtari i parë, ndeshja regjistrohet me rezultat zyrtar 20:0 në favor të KB Peja, kurse KB Ponte Prizreni eliminohet nga garat e Play Off-it”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Po ashtu, Ponte është gjobitur me 4.000 euro dhe është dënuar me tri ndeshje pa prezencën e shikuesve për edicionin 2021/22.

FBK-ja ka thënë se Komisari i Garave i mori këto vendime bazuar në deklaratat e vëzhguesit, gjyqtarit kryesor, gjyqtari të parë, gjyqtarit të dytë, video incizimeve, dëshmive, provave dhe Konform Propozicioneve të Garave për edicionin 2020/21.