Zyrtare: Mentor Zhdrella i jep fund karrierës si futbollist

Ish-futbollisti më i mirë në Kosovë për disa vite, Mentor Zhdrella i ka dhënë fund karrierës së tij si lojtar.

Lajmin e ka konfirmuar vetë Zhdrella nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Zhdrella ka falënderuar gjithë ata që kanë qenë pjesë e karrierës së tij, përfshirë edhe klubet ku kaloi karrierë.

POSTIMI I PLOTË (pa ndërhyrje):

Të dashur miq Çdo fillim e ka fundin e vetë, edhe karrierës time si futbollist i erdhi fundi.

Ndihem jashtëzakonisht i lumtur sepse kam arritur ëndrrën time për të luajtur sportin që dua. Ai më dha disa nga momentet më të mira të jetës sime, më ka dhuruar shumë kënaqësi dhe suksese.

Ndjej kënaqësi të jashtëzakonshme kur kthej kokën mbrapa dhe shikoj atë çfarë kam bërë në futboll në këto 20 vite të kaluara, ku kam bërë shoqëri fantastike dhe shumë trofe të fituara si dhe suksese individuale të arritura.

Dua të falënderoj të gjithë ata që kanë qenë pjesë e karrierës sime, të gjithë trajnerët, klubet ku kam luajtur, të gjithë bashkëlojtarët, fansat, anëtarët e familjes dhe miqtë.

Jam gjithmonë mirënjohës klubit të 2 Korrikut, aty ku fillova ta jetësoj ëndrrën. Po ashtu e paharruar në memorjen time do të mbetet epoka që kam kaluar me Prishtinën, Hysin, Dritën, Feronikelin, Llapin, Dukagjinin e Kekun si dhe kulminacioni i krenarisë që ishte fanella e kombëtares së Kosovës.

Me respekt, Mentor Zhdrella.