Manchester United ka konfirmuar se Jose Mourinho është shkarkuar nga detyra e trajnerit te “Djajtë e Kuq”.

United aktualisht ndodhet në pozitën e 6-të në Premier League me 11 pikë prapa Chelseat që e mban vendin e 4-të dhe 19 pikë larg liderit, Liverpoolit.

Pavarësisht se e kualifikoi Manchester Unitedin për në fazën me eliminim direkt të Champions Leagues, 20 herë kampionët e Anglisë kanë arritur vetëm një fitore në 6 ndeshjet e fundit, ndërsa duket se durimi i drejtuesve të klubit nga “Old Trafford” është sosur pas humbjes 3-1 në derbin kundër Liverpoolit, fundjavën e kaluar.

“Klubi dëshiron ta falenderoj Josen për punën e tij gjatë kohës te Manchester United dhe i dëshirojmë sukses për të ardhmen. Një trajner i përkohëshëm do të emërohet deri në përfundim të këtij sezoni, derisa klubi ka nisur procesin për një trajnerin të ri”, shkruhet në komunikatën e Manchester Unitedit.

Jose Mourinho u emërua trajner i Manchester Unitedit në qershor të vitit 2016, ndërsa gjatë 2 sezoneve e gjysmë të kaluara në stolin e “Djajve të Kuq” ka fituar një Community Shield, një EFL Cup dhe një Europa League.