Zyrtare: Giroud mbetet te Chelsea edhe sezonin e ardhshëm

Olivier Giroud do të qëndrojë edhe për një sezon tjetër në Stamford Bridge, pasi që sot nënshkroi kontratë të re njëvjeçare me Chelsean. Me këtë rinovim, Giroud u jep fund spekulimeve për të ardhmen e tij.

Qendërsulmuesi iu bashkua Chelseat gjatë afatit kalimtar të janarit të vitit 2018 dhe deri më tani i ka bërë 62 paraqitje, gjatë të cilave i ka shënuar 17 gola.

Gjatë kësaj kohe, Giroud ka shkëlqyer në këtë sezon të Ligës së Evropës, ku i ka shënuar dhjetë gola. Ai u ka ndihmuar “The Blues” të arrijnë deri në finale, ku më 29 maj do të përballen me Arsenalin, skuadër me të cilën Giroud luajti për pesë sezone.

Giroud është golashënuesi i përbashkët më i mirë i këtij sezoni të Ligës së Evropës dhe është lojtari i parë i Chelseat që ka arritur numër dyshifror të golave të shënuar brenda vetëm një sezoni në Evropë.

“Jam shumë i lumtur që po nënshkruaj kontratë të re”, ka thënë fituesi i Kupës së Botës për faqen zyrtare të Chelseat.

“Unë doja me të vërtetë të qëndroja këtu për të paktën edhe një vit tjetër – Jam ndierë pjesë e kësaj skuadre, pjesë e kësaj familjeje, që nga fillimi dhe shpresoj se do të vijnë edhe shumë trofe të tjera”.

Gjatë javëve të fundit ishte vënë në dyshim e ardhmja e tij te klubi londinez, mirëpo 32-vjeçari ka vendosur ta vazhdojë karrierën e tij në Stamford Bridge të paktën edhe për një sezon.