ZYRTARE: FFK-ja ia jep Devollëve të drejtat televizive të Superligës së Kosovës

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së e ka miratuar rekomandimin e Komisionit për Shqyrtimin e Ofertave për të Drejtat Televizive të Superligës për lidhje të kontratës me ofertuesin më të suksesshëm dhe çmimin më të lartë – ofertuesin “Art Motion & Klan Kosova” nga Prishtina.

Komisioni ad hoc për Shqyrtimin e Ofertave për të Drejtat Televizive të Superligës së Kosovës në futboll i formuar nga ana e Këshillit për Çështje Emergjente dhe aprovuar nga Komitetit Ekzekutiv i Federatës së Futbollit të Kosovës, konform autorizimeve të marra nga KE dhe pas hapjes se ofertave ka gjetur se dy ofertues i kishin plotësuar kriteret për shqyrtim të ofertës së tyre, “Kujtesa&T7” dhe “Art Motion&Klan Kosova”, derisa ofertuesi i tretë “Nimi-Tv” është eliminuar, pasi nuk i ka plotësuar kushtet esenciale sipas ftesës për ofertë.

Duke marrë për bazë përshtatshmërinë juridike, profesionale, teknike dhe financiare si dhe çmimin më të lartë të ofruar, Komisioni ka gjetur që ofertuesi “Art Motion & Klan Kosova” i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara me ftesën për ofertë dhe ka ofruar çmimin më të lartë prej 380.000 euro. Prandaj, Komisioni i ka rekomanduar KE të FFK-së për lidhje të kontratës me këtë ofertues. Ndërkohë, KE me unanimitet e ka miratuar rekomandimin e Komisionit, duke e shpallur fituese të të drejtave televizive të Superligës ofertuesin “Art Motion – Klan Kosova” dhe i njëjti do t’i marrë këto të drejta pas nënshkrimit të kontratës.
Njëherësh KE i FFK-së ka falënderuar edhe ofertuesin tjetër “Kujtesa & T7” për interesimin dhe ofertën e bërë që gjithashtu ishte mjaft serioze por që e kishte çmimin më të vogël se ofertuesi i suksesshëm.

Vlen të theksohet se sivjet për dallim nga vitet e kaluara KE i FFK-së ka vlerësuar se është shënuar ngritje e konsiderueshme e çmimit të shitjes së të drejtave televizive. Kjo është e mirëseardhur për klubet, pasi e gjithë shuma e kësaj kontrate do t’i ndahet 10 klubeve të Superligës, të cilat këtë vit do të kenë të ardhura dukshëm më të mira nga të drejtat televizive se sa në vitet paraprake.