Ish-kampioni i dyfishtë i UFC-së, Conor McGregor, e ka tronditur botën e arteve të përziera marciale këtë mëngjes, me lajmin e tij.
Conor McGregor e zyrtarizoi sot në mëngjes pensionohet i tij nga MMA, artet e përziera marciale. Këtë gjë, ai e bëri të ditur përmes llogarisë së tij në Twitter.
“Hej djelmosha, e kam një deklaratë të shkurtër. Kam vendosur të pensionohem nga sporti i cili njihet zyrtarisht sot si “Artet e përziera marciale”, shkruan irlandezi 30-vjeçar.
“U uroj të gjithë ish-kolegëve të mi të shkojnë sa më shumë përpara në këtë garë. Tani u bashkohem ish-kundërshtarëve të mi në pensionim”.
Ky lajm vjen vetëm dy javë pasi McGregor u arrestua në jug të Floridës pasi besohet se ia kishte vjedhur dhe shkatërruar një burrit një telefon, pasi ai kishte tentuar ta bënte një fotografi me irlandezin.
McGregor u akuzua për vjedhje dhe shkaktim të dëmit, sipas raportit të policisë së Miamit.
Në vitin 2016, McGregor kishte thënë se ai ka vendosur që do të pensionohet kur të jetë i ri, edhe këtë herë përmes Twitterit, pasi kishte pësuar disfatë ndaj Nate Diazit. Megjithatë, ai iu kthye arteve të përziera marciale vetëm tre muaj më vonë, për një rimeç me amerikanin.
McGregor pësoi disfatë edhe në meçin e tij të fundit, kur iu ishte kthyer UFC-së pas një pushimi dyvjeçar. Ai u mposht nga Khabib Nurmagomedovi në tetor të vitit 2018, pasi u dorëzua në rundin e katërt.







