Zyrtare: Çmimi Top i Artë 2020 nuk do të ndahet

Nuk do të ketë fitues të Topit të Artë në vitin 2020 për shkak të gjendjes së shkaktuar në futboll nga pandemia koronavirus, ka njoftuar France Football.

France Football – revista prestigjioze franceze që e ndan këtë çmim – ka thënë se nuk do ta ndajë këtë çmim për këtë vit sepse nuk ka pasur kushte mjaftueshëm të drejta për të vendosur se kush e meriton atë.

Topi i Artë – çmimi më prestigjioz individual për futbollistë – është ndarë që prej vitit 1956.

Fitues i tanishëm i këtij çmimi është Lionel Messi i Barcelonës, që vitin e kaluar e fitoi atë për herë të gjashtë rekorde në karrierë.

Megjithatë, për shkak të kushteve të jashtëzakonshme në të cilët po jetojmë sot, është vendosur se nuk është e drejtë ta zgjidhet futbollisti më i mirë në botë duke i marrë parasysh rrethanat në të cilat futbolli është duke u luajtur këtë vit.

Kjo nënkupton se Messi do ta mbajë këtë çmim për edhe 12 muaj të tjerë.

Messi dhe Ronaldo, portugezi i cili e ka fituar atë pesë herë në karrierë, pritej të ishin sërish në garë për këtë çmim këtë vit, por me konkurrencë të fortë nga Robert Lewandowski i Bayern Munich dhe Kevin de Bruyne i Manchetser City.

Por kjo nuk do të ndodhë dhe ata duhet të presin edhe një vjet tjetër për këtë.

France Football shkroi në uebsajtin e vet: “Në rrethana të jashtëzakonshme, në kushte të jashtëzakonshme. Për herë të parë në historinë e vet, e cila nisi më 1956, Topi i Artë nuk do të ndahet në vitin 2020, për shkak të mungesës së kushteve mjaftueshëm të drejta”.