ZYRTARE: Besart Berisha firmos me Prishtinën

Ish-sulmuesi i Shqipërisë dhe Kosovës, Besart Berisha, ka firmosur me kampionen në fuqi të Kosovës, Prishtinën.

Klubi Prishtina, në një njoftim në Facebook, e ka quajtur angazhimin e tij ëmbëlsirë të afatit kalimtar.

Berisha është 36 vjeç dhe në fund të karrierës aktive, e cila është e pasur me suksese.

Berisha suksesin e madh e ka arritur në Australi, ku ka fituar disa tituj dhe është golashënuesi më i mirë në histori të Superligës së këtij vendi me 136 gola.

“Ëmbëlsira sa i përket afatit kalimtar është lënë për fund, Besart Berisha zbarkon te FC Prishtina. Sulmuesi me përvojë të madhe, Besart Berisha, është përforcimi më i ri i skuadrës sonë. Pas një karriere mbresëlënëse në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, Angli, Australi e Japoni, me Kombëtaren e Shqipërisë dhe Kosovën, futbollisti me prejardhje nga qyteti i Prishtinës ka vendosur t’i bashkohet skuadrës ‘bardhekaltër’ për ta shkrirë gjithë potencialin dhe përvojën e fituar në futbollin botëror për ekipin tonë. Mirë se vjen Besart Berisha!”, thuhet në njoftimin e Prishtinës.