Arsenali e ka kompletuar transferimin e të riut brazilian, Gabriel Martinellit. 18-vjeçari u transferua në “Emirates” në një marrëveshje gjashtë milionë euroshe me klubin brazilian Ituano.

Për kalimin e Gabriel Martinellit në Arsenal ishte spekuluar qysh në prill, kur mediat angleze raportuan se një marrëveshje ishte shumë afër për t’u arritur mes këtyre dy palëve.

“Topçinjtë” tashmë kanë bërë të ditur se i kanë siguruar shërbimet e adoleshentit për sezonet e ardhshme, duke shpresuar se ai do ta arrijë potencialin e tij të plotë në Angli.

Arsenali e transferoi Martinellin nga Ituano, për të cilët ai kishte debutuar si 16-vjeçar në nëntor të vitit 2017.

Adoleshenti në fjalë është transferimi i parë i Arsenalit për këtë afat kalimtar të verës. Ai i kishte shënuar gjashtë gola në 14 ndeshje të zhvilluara gjatë sezonit të kaluar në Serie D me Ituanon.

Mediat angleze raportojnë se Martinelli do të luajë fillimisht për ekipin U-23 të Arsenalit dhe varësisht nga paraqitjet e tij në atë skuadër, ai do të mundë t’i bashkohet edhe ekipit të parë.