Shaqiri

Zvicra s’merr më shumë se një pikë ndaj Bjellorusisë

Bjellorusia ka bërë befasinë duke e fituar një pikë në udhëtim te Zvicra, në kuadër të xhiros së shtatë për kualifikueset e Kampionatit Evropian “Euro 2024”.

Pavarësisht dominimit të plotë të “Helvetikëve”, epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 3:3.

Zvicra e nisi për mrekulli ku kishte disa mundësi shënimi, por që s’arritën t’i konkretizonin.

Ishte ylli shqiptar Xherdan Shaqiri që realizoi një perlë nga distanca për t’i dhënë epërsinë vendasve (28’), rezultat me të cilin përfundoi kjo pjesë.

Derisa Zvicra po sulmonte, Bjellorusia krijoi një kundërzbritje të shpejtë me Dmitri Antilevskin që gjeti të ‘harruar’ Maks Ebong, i cili realizoi me kokë për të barazuar rezultatin (63’).

Ndërsa gjashtë minuta më vonë, mysafirët krijuan të njëjtën skemë. Këtë herë Polyakov shënoi me kokë pas një harkimi nga këndi (69’).

Zvicra kishte dy raste të arta për të barazuar rezultatin me ‘non-gratën’ e “Dardanëve” Andi Zeqiri, por që qendërsulmuesi dështoi dy herë nga afërsia.

Mysafirët vazhduan të mahnitin pasi Dmitri Antilevski dyfishoi epërsinë me një gol nga afërsia afërsia (84’).

Sidoqoftë, Zvicra nuk u dorëzua dhe ngushto menjëherë epërsinë përmes mbrojtësit Manuel Akanji që realizoi pas një asistimi perfekt të Shaqirit (89′).

Vetëm një minutë më vonë, Zeki Amdouni barazoi rezultatin pas një asistimi të shqiptarit tjetër Granit Xhaka (90′).

Kësisoj, Zvicra mbetet lider në grupin I me 15 pikë derisa Bjellorusia zë vendin e pestë me gjashtë pikë.