Zvicra e shqiptarëve sërish përballet me Serbinë në Botëror

Shorti që po tërhiqet në Doha të Katarit ka përcaktuar që Zvicra e Serbia të jenë në një grup në Botërorin e futbollit që mbahet në fund të këtij viti.

Këto dy përfaqësuese ishin në një grup edhe në Botërorin e kaluar. Dhe ndeshja mes tyre ishte festë e shqiptarëve.

Më 22 qershor 2018, në Kaliningrad të Rusisë, Zvicra kishte fituar 2:1 ndaj Serbisë. Granit Xhaka kishte shënuar për 1:1 në minutën e 52-të, ndërsa Xherdan Shaqiri kishte shënuar supergol në minutën e 90-të për fitoren prej 2:1.

Ishte festuar nga gjithë shqiptarët ajo fitore. Në stadium festa ishte me shqiponjë dhe kjo solli gjoba për dy shqiptarët dhe për kapitenin e atëhershëm të Zvicrës, Stephen Lichtsteiner.