Zëvendësministri i FSK-së, Burim Ramadani ka reaguar pas deklaratës nga Ministria e Jashtme ruse, lidhur me shndërrimin e FSK-së në ushtri.
“Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë, Kosova dhe institucionet e saj të sigurisë, përfshirë këtu FSK-në, nuk janë kërcënim. Përkundrazi, ato janë multi-etnike, profesionale, kredibile dhe me diversitet më të madh etnik se popullata të cilës i shërbejnë. Këto institucione janë të trajnuara në standardet më të larta demokratike”, ka thënë Ramadani.
Sipas tij, rajoni do të përfitojë nga transicioni i FSK-së. Kosova kontribuon aktivisht në sigurinë rajonale dhe do ta rris kontributin.
“Rusia po përdorë propagandë krejtësisht mashtruese kundër Kosovës, ndërsa Serbisë po i merr qindra miliona euro nga buxheti duke i shitur armatim përmes aferave të mëdha të korrupsionit”, thotë Ramadani, shkruan Ballkani.info.
“Rusia i ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen komunitetin ndërkombëtar se tendencat e tilla nuk janë në përputhje me Rezolutën 1244, e cila thotë se Kosova duhet të mbetet nën mbikëqyrjen e ndërkombëtarëve”, thuhet në deklaratën e ministrisë ruse.
“Askush nuk mund të japë garanci se të ashtuquajturat forca të armatosura, të cilat përbëhen nga terroristë të UÇK-së, nuk do të përdorin dhunë kundër popullatës serbe në veri”, thekson MPJ ruse.
Tutje thuhet se ata që mbështesin Kosovën po përpiqen me shpejtësi të riorganizojnë FSK-në në ushtri të plotë në mënyrë që të transferojnë ish militantët nën patronazhin e NATO-s.
“Ushtria e Kosovës dëmton stabilitetin në Ballkan dhe nuk është në përputhje me të drejtat e atyre që jetojnë atje dhe e meritojnë një të ardhme të qetë dhe të sigurt”, përfundon deklarata e MPJ-së ruse. /Ballkani.info/







