Zv.trajneri i Chelsea, Gianfranco Zola, pranon se Eden Hazard dhe Maurizio Sarri po punojnë së bashku për të arritur një kompromis mbi rolin e belgut në sistemin e lojës së italianit.
Sarri tha se Hazard ishte në mesin e lojtarëve të grupit, që kishin ndalur së argëtuari në fushë, pasi skuadra e tij fitoi me penallti ndaj Tottenhamit, të enjten, në “Carabao Cup”, duke rezervuar një vend në finale të kësaj gare.
Roli natyral i Hazardit është në të majtë të sulmit, por ai është përdorur edhe si sulmues qendror gjatë javëve të fundit, ndërsa Alvaro Morata duket se do të shkojë tek Atletico Madridi dhe Olivier Giroud gjithnjë e më shumë po lihet në stol.
Zola zbuloi se dyshja në fjalë po punon për një kompromis taktik, që ta mbajë Hazard të lirë, me qëllim që të gjejë hapësira për të sulmuar. Gjithashtu, trajneri italian po i mëshon disiplinës taktike, për të implementuar sistemin e ri të të tij, i cili është quajtur “Sarriball”.
“Unë kam qenë shumë si Eden, – tha Zola. – Isha një lojtar shumë pozitiv, më pëlqente të lëvizja nëpër fushë, të gjeja pikat, ku mund të merrja topin, por kthehesha edhe mbrapa. Unë kam qenë shumë i ngjashëm me Hazard dhe e kuptoj këtë situatë të tij. Ne po përpiqemi t’i japim atij lirshmërinë e nevojshme, por edhe të jemi një ekip i organizuar në aspektin difensiv dhe sulmues.
E dimë se cila është cilësia e tij më e mirë, por ndonjëherë duhet të jetë i freskët, kur merr topin. Nuk ka dyshim se jemi në të njëjtën anë me lojtarin. Dëshirojmë të gjejmë një terren të përbashkët, ku Eden të mund të japë më të mirën dhe ekipi të përfitojë prej tij.
Ka momente në lojë, kur kemi nevojë të mbrojmë të gjithë dhe të sulmojmë të gjithë, kjo është pikërisht ajo që po përpiqemi të bëjmë. Eden, mendoj se duhet të jem i drejtë, duhet ta bëjë këtë. Ne jemi shumë kërkues, sepse duam ta ruajmë ekuilibrin gjatë gjithë lojës.
Unë jam i sigurt se do të gjejmë një kompromis. Nuk jam në gjendje ta kritikoj një lojtar si Eden, por besoj se mund të përmirësohet në disa aspekte. Maurizio tha një gjë, se potenciali i Hazard është më i madh se performancat e tij.
Pra, trajneri nuk po kritikon atë që po bën Eden, por beson se mund të bëjë shumë më tepër për vete dhe për ekipin. Kjo është gjithçka, që Sarri ka thënë. Kjo është situata, që ai dëshiron ta kuptojë Hazard”.







