Ministri i Financave në Qeverinë e Shqipërisë, Arben Ahmetaj, doli kundër taksës 100 për qind ndal mallrave serbe të vendosur nga Qeveria e Kosovës.
Ky kundërshtim u prit ashpër në Kosovë, pasi që në vend të mbështetet Kosova, ministri i Edi Ramës e kundërshton këtë masë.
Mirëpo, duket se Ahmetaj e pati një “arsye” të fortë për këtë.
Ai më 19 nëntor takoi homologun e tij serb, Sinisha Mali, shkruan Ballkani.info.
Ajo që bie në sy është vlerësimi që Ahmetaj i bën këtij takimi që ishte mbajtur në Beograd.
“Një takim shumë miqësor sot me Ministrin e Financave të Republikës së Serbisë Sinisa Mali. Bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve dhe reduktimi i barrierave për lehtësimin e tregtisë është një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik rajonal. Shqipëria dhe Serbia mund të japin shëmbullin e mirë të bashkëpunimit ekonomik e politik, që do të avancohet me të gjithë vendet e rajonit”, shkruante Ahmetaj.
Megjithatë pas kritikave të shumta dhe komenteve negative që mori në postimin në Facebook, Ahmetaj e fshiu atë. /Ballkani.info/








