Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka evidentuar një varg shkeljesh në Raportin e auditimit për Pasqyrat vjetore financiare për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për vitin 2024.

Parregullsi në Arsyetimin e subvencioneve, rekrutim të stafit në kundërshtim me Rregulloret e brendshme, avance të paarsyetuara, tejkalim të buxhetit të planifikuar për thirrjet për mbështetje të Projekteve, formim të Komisioneve përzgjedhëse në kundërshtim me Kërkesat ligjore, zgjatje e pozitave të Ushtruesve të Detyrës në kundërshtim me Ligjin… janë disa nga parregullsitë e evidentuara në Raportin e ZKA-së për MKRS-në për vitin e kaluar (2024).

Sipas ZKA-së Ministria (MKRS) në vitin 2024 ka shpenzuar 75% të buxhetit final – duke shënuar një zvogëlim prej 3%, krahasuar me vitin 2023.

Sipas auditorit fushat me problemet më të theksuara në Raport kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e Regjistrave të pasurisë dhe klasifikimin joadekuat të shpenzimeve.

Sipas ZKA-së MKRS ka realizuar mbi 2,000,000 euro subvencionime të paplanifikuara, prej tyre 140,000 për RTK-në.

“Vlera e pasurive kapitale e prezantuar në Pasqyra Financiare Vjetore (PFV) ishte nënvlerësuar për 870,760 euro, ndërsa e pasurive jo kapitale për 56,315 euro, si rezultat i mosregjistrimit dhe mosshpalosjes së pasurive. MKRS gjatë vitit 2024 kishte ekzekutuar pagesa në kategori joadekuate në vlerë prej 662,412 euro.” – thuhet në Raport.

140,000 euro për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares

Sipas ZKA-së MKSR ka tejkaluar për më shumë se 2,000,000 euro buxhetin e planifikuar për financimin e Projekteve të OJQ-ve dhe Individëve për në fushën e artit, kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.

ZKA-ja ka gjetur se MKRS planifikonte mbështetje prej 2,000,000 eurove për fushën e artit dhe kulturës dhe 400,000 për trashëgiminë kulturore për 2024.

Gjatë testimit ZKA thotë se MKRS në kundërshtim me kufizimet buxhetore të vendosura në Vendimin për thirrje publike kishte tejkaluar buxhetin e planifikuar, me rastin e vlerësimit të Projekteve, si dhe kishte subvencionuar institucione të tjera të paplanifikuara me buxhet.

“Nga Departamenti i Kulturës ishin përkrahur Projekte në vlerë 4,104,229 euro, ndërsa nga Departamenti i Trashëgimisë Kulturore Projekte në vlerë 840,801 euro – duke tejkaluar buxhetin e planifikuar mbi 100% bazuar në thirrjen publike.” – thuhet në Raport.

“MKRS ka subvencionuar Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) në vlerë 140,000 euro për transmetimin e ndeshjeve të Kombëtares së futbollit, pavarësisht se RTK është një medium publik dhe si i tillë financohet nga Kuvendi i Kosovës.” – thuhet në Raportin e ZKA-së për MKRS-në.

Sipas ZKA-së tejkalimi i buxhetit të planifikuar me thirrje publike për subvencionim dhe mënyra e financimit ndaj RTK-së rrit rrezikun e hyrjes në obligime pa buxhet – siç thuhet më tej në Raport: mund të ndikojë në vlerësim joprofesional të Projekteve dhe të përkrahen Projekte që nuk janë në përputhje me objektivat e përcaktuara.

Sipas ZKA-së MKRS nuk është pajtuar me këtë gjetje.

Komisionet në kundërshtim me Rregulloren e brendshme

ZKA ka gjetur parregullsi edhe në formimin e Komisioneve vlerësuese dhe të Ankesave për subvencionet nga MKRS, në kundërshtim me Kërkesat ligjore.

“Gjatë testimit të procesit të dhënies së subvencioneve kemi vërejtur dobësi në formimin e Komisionit të vlerësimit dhe atij të Ankesave, si: Komisioni për vlerësimin e Projekteve ishte formuar në kundërshtim me Rregulloren, pasi që në Komision nuk ishte caktuar asnjë anëtar nga Njësia përkatëse – Departamenti i Kulturës dhe as nga Departamenti i Financave (përveç një anëtari rezervë).” – thuhet në Raport.

Ndërsa, po sipas Raportit për thirrjen publike “Fondi i Mobilitetit 2024, Sport, Rini, Art, Kulturë e Trashëgimi Kulturore” me Vendime të ndara, fillimisht më 13.05.2024 ishte formuar Komisioni për Vlerësimin e Aplikacioneve, ndërsa më 14.06.2024 ishte formuar Komisioni i ankesave. Mirëpo, auditori thotë se në këto Vendime ishte caktuar i njëjti zyrtar nga Departamenti i sportit, si anëtar në të dy Komisionet.

MKRS, sipas ZKA-së, nuk pajtuar me gjetjen.

Auditori ka gjetur vonesat në Arsyetimin e subvencioneve. Sipas ZKA-së në dy raste të testuara, në vlerë totale prej 833,595 euro përfituesit e subvencioneve nuk kishin dorëzuar Raportet për arsyetimin e shpenzimeve brenda afateve të përcaktuara në Marrëveshjet e nënshkruara, që sipas Marrëveshjeve do të duhej të ishin mbyllur.

“Si rezultat ato figurojnë ende të hapura. Këto raste janë si në vijim: Federata e xhudo-së në vlerë 533,595 euro dhe Federata e Hendbollit në vlerë 300,000 euro.” – thuhet në Raport.

Vonesa janë regjistruar edhe në pagesën e obligimeve të papaguara. ZKA ka gjetur se në 8 raste faturat në vlerë prej 165,052 euro nuk janë paguar në afatin e paraparë ligjor. Vonesat variojnë nga 11 deri 179 ditë kalendarike.

Auditori ka gjetur parregullsi edhe sa i përket regjistrimit të pasurive dhe prezantimit të tyre në Pasqyrat vjetore në MKRS. Auditori ka gjetur se vlera e pasurive kapitale e prezantuar në PFV ishte nënvlerësuar për 927,075 euro.

“Në 6 raste pasuria në vlerë prej 870,760 euro nuk ishte regjistruar në SIMFK; dhënë një rast, pasuria në vlerë prej 56,315 euro nuk ishte regjistruar në Sistemin e E-pasurisë.” – thuhet në Raport.

Gjithashtu, sipas auditorit, MKRS gjatë vitit 2024 kishte ekzekutuar pagesa në kategori ekonomike joadekuate, në vlerë prej 662,412 euro.

“Pagesa në vlerë 631,066 euro, e paguar përmes Vendimeve gjyqësore për ‘Shpenzime të organizimit të eventeve, dizajneve dhe shtypja e materialeve promovuese’ ishte ekzekutuar nga kategoria e investimeve kapitale, derisa shpenzimi përkatës për nga natyra i takonte kategorisë së mallrave dhe shërbimeve.” – thuhet në Raport.

Ndërkaq, pagesat në vlerë 395,596 euro, sipas ZKA-së, të ekzekutuara përmes Vendimeve gjyqësore për Investime Kapitale, si pjesë e shpenzimeve shtesë dhe përmbarimore përfshinte një vlerë prej 12,996 euro, që për nga natyra i takonin kategorisë “Mallra dhe Shërbime”.

“Te Kontrata për ‘Furnizim me pajisje pune dhe materiale të nevojshme për restaurim – konservimin e artefakteve dhe Kabineteve për Muzeun Kombëtar të Kosovës’, pagesa për pajisje në vlerë 18,350 euro, e paguar nga kategoria e mallrave dhe shërbimeve, për nga natyra i takonte kategorisë së investimeve kapitale.” – thuhet në Raport.

Gjithashtu parregullsi në Raportin e ZKA-së për MKRS-së janë evidentuar edhe në rekrutimin e stafit për MKRS-në dhe institucionet vartëse, mosarsyetim të avanceve për udhëtime zyrtare, tejkalim të afateve të parapara ligjore si Ushtrues i Detyrës dhe mosnxjerrja e Rregulloreve të brendshme, në përputhje me Dispozitat ligjore. /Kallxo.com