Zjarri në Shtupeq të Rugovës ende aktiv, evakuohen banorët e fshatit

Policia e Kosovës, Drejtoria në Pejë, ka bërë të ditur se zjarri në fshatin Shtupeq i Madh të Rugovës, ende nuk është vënë nën kontroll të plotë.

Sipas Policisë, banorët e këtij fshati janë evakuuar nga shtëpitë e tyre për shkak të rrezikut që u kanosej disa shtëpive të fshatit nga zjarri.

“Deri sa në komunat tjera situatën e kemi nën kontroll, zjarri në fshatin Shtupeq i Madh ende nuk është venë nën kontroll të plotë. Dje në orët e pas ditës pas rrezikut që u kanosej disa shtëpive të fshatit nga zjarri, banorët janë evakuar nga to me qellim të vetëm ruajtjen së jetës se tyre. Të njëjtit ende nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre, pasi që rreziku ende nuk ka kaluar, andaj kërkojmë mirëkuptim nga ana e tyre”, thuhet në njoftim.

Policia ka apeluar tek qytetaret të cilët frekuentojnë zonat malore të rajonit të Pejës, e në veçanti Bjeshkët e Nemuna, që maksimalisht të jenë të kujdesshëm dhe të përmbahen çdo gjëje që mund të aktivizojë zjarre gjatë përdorimit si (shkrepsa, cigare, grilla, zjarre në natyrë etj.)

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë apo lajmërojnë PK-së për çdo person të dyshuar që mund të jetë i përfshirë në raste të zjarr vënieve.