Zjarrfikësit tregojnë shkaktarin e djegies së banesës në Prishtinë (FOTO)

Dje në lagjen ‘Fusha e Pajtimit’ në Prishtinë, një banesë është përfshirë nga zjarri.

Policia e Kosovës dhe njësitet e Zjarrfikësve, kanë dalur në vendin e ngjarjes duke parandaluar kështu përhapjen e flakëve.

Në vendngjarje, ka dalur edhe Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, i cili ka thënë se zjarri ka shkaktuar kryesisht dëme materiale.

“Persona të lënduar nuk ka pasur, përpos një personi i cili është asfiksuar nga tymi. Zjarri e ka kapluar një dhomë dhe dyshohet se është nisur nga priza ku kishte qenë i kyçur kompjuteri”, ka thënë Beka për Ballkani.info.

Kujtojmë se ditë më parë në Prishtinë nga zjarri është përfshirë edhe një banesë. Policia ka thënë se zjarri aty ishte shkaktuar gjatë punës së disa personave me rrymën, të cilët dyshohet se kanë punuar ilegalisht me rrymën. /Ballkani.info