Zjarret në Mitrovicë, Hamza: Situata është stabilizuar, por rreziku i rishfaqjes së vatrave vazhdon

Disa fshatra të komunës së Mitrovicës janë përballur me flakët pasditen e djeshme.

Lidhur me këtë, kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza ka thënë se situata është stabilizuar, por ekziston rreziku i rishfaqjes së vatrave të zjarrit sërish.

“Duke ju falënderuar angazhimit të zjarrfikësve, FSK-së dhe KFOR-it situata është stabilizuar, por rreziku i rishfaqjes së vatrave vazhdon. Zjarrfikësit vazhdojnë të jenë prezent”, ka thënë Hamza për Telegrafin.

Policia ka njoftuar se kishe pranuar informatën për tri raste të zjarreve në tri lokacione të ndryshme.

Sipas njoftimit të policisë, në fshatin Cernushë zjarri ishte i përmasave shumë të mëdha dhe kishte përfshirë sipërfaqe të mëdha të pyjeve e po ashtu i ishte afruar shtëpive të banuara, janë evakuuar disa familje për sigurinë e tyre.

“Për ta lokalizuar zjarrin, janë ftuar në asistim edhe njësi të FSK-së dhe KFOR-it të cilët kanë ofruar asistimin e tyre si me personel po ashtu edhe me pajisje. KFOR-i ka ofruar asistimin me helikopter për shuarjen e zjarreve. Falë përkrahjes së ofruar nga KFOR-i dhe FSK-së, nuk kemi zjarre aktive në asnjë zonë të Mitrovicës dhe gjatë tërë natës pjesëtarë të FSK-së kanë qëndruar afër vatrave të zjarrit derisa ato janë shuar plotësisht”, thuhet në njoftim.

Ndryshe dje, drejtori i Emergjencave në Mitrovicë, Bahtir Maxhuni tha se kanë kërkuar përmes Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave që ekipe të FSK-së dhe KFOR-it të jenë në gjendje gatishmërie në rast se nuk arrijnë të lokalizojnë gjithë zjarrin që ka ndodhur në fshatin Zasellë.

Kujtojmë se Evropa po përballet me zjarre si pasojë e valës së të nxehtit që po mbretëron ditëve të fundit.

Zjarret e mëdha në Evropë janë bërë më të shpeshta, po shkaktojnë më shumë dëme dhe po bëhen më të vështira për t’u shuar. Franca , Spanja, Sllovenia, Kroacia dhe Greqia janë disa nga vendet që po përballen me zjarre.