Nuk ka kthim të Zinedine Zidane te Real Madridi.
Sipas “El Pais”, francezi e ka refuzuar ftesën për t’u ulur përsëri në stolin e “Los Blancos”, menjëherë. Dhe prapa këtij refuzimi mund të jetë Juventusi.
Pavarësisht nga fitorja e së dielës ndaj Valladolid, në fakt pozita e Solarit, pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, mbetet e pasigurt.
Zëvendësuesi i argjentinasit, megjithatë, nuk do të jetë Zidane, i cili, për më tepër, nuk është kontaktuar direkt nga Florentino Perez. Marrëdhëniet me presidentin e bardhë mbeten të ftohta, pas lamtumirës së verës së kaluar.
Ndër arsyet e refuzimit të Zidane për t’u kthyer te Real Madridi, sipas “El Pais”, mund të jetë një ofertë zyrtare e marrë nga Juventusi. Bardhezinjtë janë gati për t’i vënë një kontratë në tavolinë deri në vitin 2022 ish-futbollistit të vet.
Sigurisht, nuk është i panjohur fakti që Zidane ka qenë gjithmonë zgjedhje e parë e Agnellit si pasardhës i Allegrit, gjithnjë në rast se largimi i trajnerit livornez bëhet realitet.
Ndërkohë, “El Pais” zbulon një prapaskenë tjetër për ndërprerjen e bashkëpunimit mes Zidane dhe Real Madridit, për shkak të divergjencave në merkato. Në fakt, tekniku francez dëshironte shitjen e Bale dhe kërkoi blerjen e njërit mes Mbappé, Neymar e Hazard, në rast të lamtumirës së Cristiano Ronaldos.







