Zidane nuk është mposhtur asnjëherë në “Camp Nou” si trajner i Real Madridit

Pas katër vizitave në Camp Nou si trajner i Real Madridit, Zinedine Zidane ende s’e di ndjenjën e të qenët humbës në stadiumin më të madh të Evropës në El Clasico.

18 muaj pas vizitës së tij të fundit në Camp Nou, francezi Zinedine Zidane do të kthehet në këtë stadium të mërkurën, përderisa Real Madridi do të përballet me Barcelonën në El Clasico.

Udhëtimi i parë i Zidanet në Camp Nou erdhi gjatë sezonit 2015/16, kur “Los Blancos” dolën nga fusha e lojës si fitues me rezultat 1-2, përkundër që fillimisht kishin qenë duke pësuar disfatë.

Kjo ishte një hakmarrje e ëmbël për madrilenët, të cilët kishin pësuar disfatë të thellë me rezultat 4-0 në Santiago Bernabeu më herët atë sezon, nën drejtimin e Rafa Benitezit.

Sezonin vijues, kapiteni dhe qendërmbrojtësi Sergio Ramos ia shpëtoi skuadrës së tij një pikë nga përballja me Barcelonën që përfundoi me rezultat 1-1 në një vit kur Real Madridi e mori titullin e La Ligës.

Zidane e udhëhoqi skuadrën e Real Madridit në Superkupën e Spanjës për herë të parë në vitin 2017, kur regjistroi fitore me rezultat 1-3 kundër Barcelonës në ndeshjen e parë në Camp Nou.

Ndërsa, Cristiano Ronaldo dhe Gareth Bale u treguan të saktë para portës herën e fundit që Zidane e vizitoi Camp Noun, kur Real Madridi arriti të marrë barazim me rezultat 2-2.

Zidane e la postin e trajnerit në Real Madrid si tre-herë fitues i Ligës së Kampionëve dhe tani ai do të kthehet në Barcelonë për t’u hakmarrë për disfatën e sezonit të kaluar 5-1, që Real Madridi e kishte pësuar në mungesë të tij.