“Zidane mund të ribashkohet me Ronaldon në Juventus”

Ish-ylli i Real Madridit, SteveMcManaman, beson se Zinedine Zidane mund të vendosë të ribashkohet me Cristiano Ronaldo në Juventus në një të ardhshme të afërt.

Trajneri dhe ish-futbollisti legjendar francez, Zinedine Zidane, për momentin është duke punuar në Santiago Bernabeu, pasi është emëruar për herë të dytë në pozitën e trajnerit të Real Madridit.

Ai i kishte fituar tre tituj të Ligës së Kampionëve në tre sezone radhazi gjatë herës së parë që e kreu detyrën e trajnerit të Los Blancos dhe tani e ka ngritur Real  Madridin në krye të tabelës së La Ligës.

Kur Zidane e mori sërish drejtimin e madrilenëve drejt fundit të sezonit të kaluar, shumë tifozë dhe analistë kishin hedhur dyshim mbi aftësinë e tij si trajner, mirëpo këtë sezon ai ka arritur ta kthejë Real Madridin në formë të mirë dhe i ka heshtur ata kritikë.

Megjithatë, duke e marrë parasysh që Zidane kishte vendosur të largohej nga Santiago Bernabeu pas atyre sukseseve të mëdha, McManaman beson se ai mund ta bëjë një gjë të tillë sërish – për t’u bashkuar sërish me Cristiano Ronaldon.

“Nëse ai e fiton ligën dhe largohet, atëherë do të jetë një radhë e klubeve që do ta duan atë si trajner. Sa i përket spekulimeve për Juventusin… ai ka luajtur atje, flet italisht dhe atje e konsiderojnë hero, kështu që s’do ta kishte të vështirë të shkonte atje”, ka thënë McManaman.

“Ai s’do ta kishte të vështirë sepse Juventusi është shumë dominues, e njeh Cristianon shumë mirë dhe i njeh mirë shumë lojtarë të asaj skuadre. Nuk e di se si është situata e Maurizio Sarrit në Juventus, por për momentin ata po luajmë mirë dhe janë të krye të tabelës”.

“Mendoj se Zizou mund ta marrë postin e trajnerit në cilindo klub. Të gjitha klubet do ta donin atë për shkak të rekordit të tij dhe për shkak të arritjeve që ai i ka siguruar në një periudhë të shkurtë kohore”.