Zidane këmbëngul: Nuk na mungon Cristiano Ronaldo

Real Madridit nuk është duke i munguar ish ylli i skuadrës, Cristiano Ronaldo, me gjithë mungesën e golave në ndeshjet e fundit, ka këmbëngulur trajneri Zinedine Zidane.

Real Madridi e ka shënuar vetëm një gol në tri ndeshjet e fundit dhe e regjistroi edhe një barazim tjetër pa gola të dielën kundër Athletic Bilbao.

Lëshimi i dy pikëve ndaj Athletic Bilbao nënkupton se gjiganti madrilen tani ngel dy pikë prapa rivalit dhe liderit, Barcelonës, në La Liga.

I pyetur nëse skuadrës i mungon Ronaldo, Zidane u përgjigj: “Jo”.

“Gjithçka që kemi nevojë është të vazhdojmë ta bëjmë atë që jemi duke e bërë. Është vetëm një moment, janë vetëm dy ndeshje që nuk shënojmë gol. Kështu e ka futbolli. Do t’i kthehemi punës dhe kur t’ia nisim të fitojmë përsëri, do ta tejkalojmë këtë problem”, shtoi ai.

Francezi më pas këmbënguli: “Ju më pyesni, unë përgjigjem. Nuk kemi nevojë për asgjë. Thjesht duhet të vazhdojmë ta bëjmë atë që jemi duke e bërë”.