Gareth Bale nuk ishte përfshirë në skuadrën e Real Madridit për udhëtimin në “Anoeta”, i cili përfundoi me humbjen 3-1 ndaj Real Sociedad.
Zidane kishte refuzuar të komentonte deklaratat e bëra nga agjenti i uellsianit, Jonathan Barnett, se një transferim do të ishte i mundur, nëse një ofertë e madhe do të mbërrinte në fund të sezonit.
Megjithatë, trajneri francez konfirmoi se Bale ishte në gjendje të luante të dielën, por nuk e grumbulloi fare. Madje, nuk është i sigurt nëse ai do të paraqitet sërish në fushë, këtë sezon.
“Po, – tha Zidane në një konferencë shtypi, kur u pyet nëse Bale ishte në gjendje të luante kundër Sociedad. – Nuk e di nëse do të luajë edhe kundër Real Betis. Do të shohim javën e ardhshme. Është shumë e qartë se çfarë kam bërë këtë fundjavë. Tani kemi një ndeshje tjetër dhe pastaj do të mendojmë për sezonin e ardhshëm”.
Humbja i shuajti shpresat e pakta të të bardhëve për të siguruar vendin e dytë në La Liga, por pozitive ishte performanca e Brahim Diaz. Zidane ka qenë i kënaqur me përparimin e lojtarit të ardhur nga Manchester City.
“Ai ka luajtur mirë, është një lojtar shumë interesant, i ri dhe asgjë më shumë. Ne do të shohim se çfarë do të bëjmë sezonin e ardhshëm, por për momentin ka pasur disa minuta dhe ka bërë mirë”.







