Edona Zhegrova

Zhegrova as në lojën e fundit të Genkut në fazën grupore të Evropa Ligës

Ylli i Kombëtares së Kosovës, Edon Zhegrova, ka mbetur përsëri jashtë skuadrës së zgjedhur nga trajneri i Genkut, Philippe Clement, për ndeshjen e fundit të fazës grupore të Evropa Ligës.

Kjo nënkupton që anësori kosovar, edhe pse i ftuar në listën e Genkut për Evropa Ligë, ai nuk është ftuar asnjëherë, as në stolin e gjigantit belg, përkundër se i ndihmoi skuadrës të kualifikohej në këtë garë duke shënuar dy herë në fazën kualifikuese.

Genku do ta presë në shtëpi Sarpsborg 08 të enjten për ndeshjen e fundit të fazës grupore të këtij sezoni të Evropa Ligës. Genku e ka siguruar kualifikimin nga Grupi I, mirëpo i duhet fitorja për ta siguruar vendin e parë.

Për këtë ndeshje, Clement nuk do të mund ta kërkojë ndihmën e Zhegrovës, i cili është lënë përsëri jashtë skuadrës së zgjedhur. Kosovari nuk ka qenë pjesë e skuadrës për asnjë ndeshje të Evropa Ligës deri më tani dhe për herë të fundit ka luajtur në rundin kualifikues, në ndeshjen kundër Lech Poznanin më 16 gusht.