Zhegra e mbron Shaqirin dhe “Elhamdulillahin” e tij duke e festuar Fitër Bajramin

Edhe bashkatdhetarët nga vendlindja, Zhegra, i kanë dalë në mbrojtje futbollistit shqiptar të Zvicrës dhe Liverpoolit, Xherdan Shaqirit, i cili u kritikua ashpër në rrjetet sociale në Kosovë, përfshirë nga Blerim Latifi, këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, për përdorimin e shprehjes arabe “Elhamdulillah”.

Xherdan Shaqiri iu falënderua Zotit në gjuhën arabe në një postim në rrjetet sociale pasi e fitoi Ligën e Kampionëve me Liverpoolin të shtunën në Madrid. Përdorimi i shprehjes “Elhamdulillah” nga futbollisti i Zhegrës së Gjilanit nxiti reagime të ashpra në Kosovë.

Blerim Latifi, këshilltari i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e kritikoi Shaqirin duke pohuar se, në mungesë të shkollimit, Shaqiri nuk e ka aftësinë t’i dallojë kufijtë e identitetit të vet.

Por, besimtarët myslimanë të Zhegrës së Gjilanit, vendlindjen e Shaqirit, i dolën në mbrojtje yllit të Liverpoolit gjatë festimit të Fitër Bajramit të martën.

Ata u shprehen të lumtur që edhe bashkëvendësi i tyre Xherdan Shaqiri, i përçon në botë mesazhet në mënyrën e njëjtë, duke e përkrahur mënyrën e tij të festimit, kur shkroi “Elhamdulilah”.

Të tjerët thanë për Klan Kosova se nuk ia vënë veshin kritikave ndaj Shaqirit.