Zgjedhjet për Kongresin amerikan, sondazhi i CNN: 55% demokratët, 42% republikanët

Në prag të zgjedhjeve të mes mandatit, demokratët mbajnë avantazhin e tyre mbi republikanët në studimin e fundit të bërë nga CNN për rinovimin e Kongresit.

Sipas kanalit televiziv amerikan, shtatë nga dhjetë të anketuarit mendojnë se rezultati i votimit është një gjykim mbi punën e Presidentit të SHBA, Donald Trump. Sondazhi i fundit tregon se demokratët marrin 55% të votave ndërsa republikanët 42%.

Kandidatët për në Kongres dhe përkrahësit e tyre të profilit të lartë po përdorin ditën e fundit të fushatës, të hënën, për të tërhequr votuesit, ndërsa partitë e mëdha politike luftojnë për kontrollin e Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet që bien në mes të mandatit të presidentit.

Presidenti Donald Trump kërkon që republikanët e tij të mbajnë shumicën e tyre në të dy dhomat e Kongresit, ndërsa demokratët po përpiqen të thyejnë monopolin.

Analistët politikë dhe rezultatet e sondazheve të opinionit u japin demokratëve një shans më të mirë për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve sesa në Senat.

Votuesit të martën do të zgjedhin se kush do t’i mbushë të 435 vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet e Senatit.