Zgjedhjet në Greqi do të përsëriten

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, ka emëruar një kryeministër të përkohshëm të mërkurën për të formuar një qeveri para zgjedhjeve që do të përsëriten më 25 qershor, pas votimit jopërfundimtar të fundjavës së kaluar, shkruan Reuters.

Partia konservatore “Demokracia e Re” e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis fitoi me 40.1% të dielën e kaluar, por nuk arriti shumicë të plotë. Dy partitë që pasuan refuzuan të formonin një koalicion, duke kërkuar votim të dytë më 25 qershor.

Mitsotakis beson se votimi i dytë, i cili i jep partisë së parë vende bonus, do t’i japë “Demokracisë së Re” shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme.

Partitë opozitare shpresojnë gjithashtu se votimi i dytë do të rrisë vlerësimet e tyre.

Të mërkurën, presidentja Katerina Sakellaropoulou ftoi liderët e të gjitha partive, që kapërcyen pragun e 3% për të diskutuar hapat e mëtejshëm. Ftesa ishte procedurale dhe bisedimet e shkurtra nuk sollën një qeveri koalicioni.

Sipas kushtetutës së Greqisë, nëse bisedimet e koalicionit dështojnë, presidenti emëron një kryeministër të përkohshëm për ta udhëhequr vendin deri pas zgjedhjeve të përsëritura.

Ajo emëroi Ioannis Sarmasin, një zyrtar i lartë gjyqësor i cili është president i Gjykatës Helenike të Auditimit, një nga tre gjykatat e larta të vendit.

Sipas sistemit zgjedhor të Greqisë, fituesi i votimit të dytë pas zgjedhjeve të para jo përfundimtare mund të marrë deri në 50 vende bonus për çdo pikë që fiton mbi 25%.

Për të përfituar nga vendet bonus, “Demokracia e Re” duhet të mbetet partia më e madhe, dhe kjo duket e mundshme pasi rivali i saj më i afërt, “Syriza”, ka siguruar vetëm një të pestën e votave më 21 maj. Nëse siguron sërish 40% të votave ose edhe pak më pak, me shumë mundësi do të ketë një shumicë të qartë.

Gjithsej vendet që do të sigurojë “Demokracia e Re” do të varet nga sa parti të tjera do të hyjnë në parlament.

Parlamenti i ri i cili doli nga zgjedhjet e 21 majit do të mblidhet të dielën e ardhshme dhe do të shpërndahet një ditë më vonë përpara se qeveria e përkohshme të marrë drejtimin.