Mbi dy milionë euro janë mbledhur për ndërtimin e dy xhamive shqiptare në Zvicër dhe Gjermani. Brenda pak ditësh, komunitetet shqiptare në këto dy shtete kanë mobilizuar shuma të konsiderueshme për investime fetare.

Aktivitetet, ku morën pjesë edhe drejtues fetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, tregojnë se ndërtimi i objekteve fetare vazhdon të jetë një nga nismat për të cilat mërgata shqiptare mobilizon burime të mëdha financiare.

Kjo ka ngritur edhe një çështje për diskutim, përse një mobilizim i tillë financiar përqendrohet te ndërtimi i xhamive dhe sa investohet në projekte të tjera arsimore, kulturore apo sociale për shqiptarët në diasporë.

Në Oensingen të Zvicrës, mërgimtarët shqiptarë kanë mbledhur mbi një milion franga zvicerane brenda pak orësh, për sigurimin e një objekti të ri fetar.

Tubimi u organizua më 7 nëntor nga Shoqata Kulturore Shqiptare në Oensingen, në sallën Biberena në Biberist.

Në aktivitet morën pjesë myftiu i Gostivarit, Sabahudin Zendeli, drejtori i Sektorit për Diasporë pranë BFI-së, Mafiz Rustemi, si dhe ligjëruesi Musa Musai.

Të pranishëm ishin edhe Fehim Abazi, kryetar i KMSHZ-së, dhe Ekrem Simnica, drejtor i Diasporës në Bashkësinë Islame të Kosovës.

Muftinia e Gostivarit e përshëndeti këtë mobilizim, duke e cilësuar dëshmi të solidaritetit dhe përkushtimit të mërgatës për ruajtjen e jetës fetare dhe identitetit shqiptar.

Një shumë e ngjashme është mbledhur edhe në qytetin Schwäbisch Gmünd të Gjermanisë.

Atje, Qendra Islame Shqiptare “Lëvizja” organizoi një aktivitet ku u raportuan mbi një milion euro donacione për ndërtimin e një kompleksi të ri.

Edhe në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues fetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe komunitetet shqiptare në Evropë.

Megjithatë, projekti në Zvicër ka shkaktuar edhe kundërshtime politike.

Përfaqësues të së djathtës zvicerane në kantonin Solothurn kanë nisur një peticion kundër tij, duke kërkuar sqarime për financimin, madhësinë dhe ndikimin në zonë.

Organizatorët shqiptarë kanë mohuar pretendimet për financim të fshehtë nga jashtë dhe kanë deklaruar se mbështeten në donacionet e komunitetit.

Dy aktivitetet dëshmojnë një mobilizim të madh për ndërtimin e objekteve fetare, por nuk japin një pasqyrë të plotë të prioriteteve financiare të mërgatës shqiptare.