Një postim e bëri në Facebook, një tjetër në “X”. Kryeministri Albin Kurti shfrytëzoi llogaritë e tij nëpër rrjete sociale, për t’i treguar diasporës së kë të votojnë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, që mbahen nesër, më nëntë qershor. Ndryshe prej tij, nënkryetari nga partia e kryeparlamentari Glauk Konjufca, bëri thirrje të votohen shqiptarët.

Kurti para pak ditësh publikoi një video rreth katër-minutëshe, prej ku, kërkoi nga diaspora që të votojnë për Aleancën Progresiste të Socialistëve dhe Demokratëve.

Kryeministri do ta bënte një shkrim edhe në rrjetin social “X”, aty ku do të kërkonte të votohen socialdemokratët.

“Me afrimin e zgjedhjeve për Parlamentin Evropian, u bëj thirrje të gjithë anëtarëve të diasporës sonë që të ushtrojnë të drejtën e votës. Çdo votë e vetme llogaritet në mbështetjen e politikanëve dhe partive – të tilla si socialdemokratët – që me të vërtetë mbrojnë demokracinë dhe Evropën kundër kërcënimit serioz të së djathtës ekstreme.” – shkroi ai në “X”.

Konjufca: Votoni shqiptarët

Me zgjedhjet në BE, u mor edhe Konjufca. Ndryshe prej shefit të tij në Lëvizjen Vetëvendosje, Konjufca bëri thirrje që përveç partive proevropiane, të përkrahen veçanërisht kandidatët shqiptar.

Disa prej tyre, ai përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, i përmendi edhe me emra.

“…prandaj, duke qenë të kësaj rëndësie, zgjedhjet europiane nuk do të jenë të rëndësishme vetëm për shtetet anëtare, por për të gjithë ne. Shumë shqiptarë që janë shtetas e me të drejtë vote në vendet e BE-së duhet të dalin e të votojnë në këto zgjedhje për partitë proeuropiane, por në veçanti t’i mbështesin kandidatët shqiptarë që sot garojnë nën siglen e shumë partive europiane. Kandidatë si Muharrem Salihu, Adnan Dibrani e shumë shqiptarë të tjerë duhet ta kenë mbështetjen e mërgatës sonë, si përfaqësues të ardhshëm jo vetëm të interesave të diasporës sonë, por edhe të kombit dhe shteteve tona. Duke i votuar këta kandidatë, ne do t’i çojmë në Parlamentin Europian përfaqësues që do t’i mbrojnë vetë parimet dhe interesat e Europës, sepse proeuropianizmi i shqiptarëve është në natyrën tonë kombëtare!” – u shpreh kryetari i Kuvendit të Kosovës.