Zemaj paralajmëron rikthimin e aktiviteteve sportive me masa strikte

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka paralajmëruar rikthimin e aktiviteve sportive në Kosovë, por me masa strikte për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Vala e dytë e pandemisë e ka përfshi një pjesë të Evropës. Në këto momente qëndrojmë stabil dhe në këtë duhet të marrim pjesë të gjithë. Do të ecim me hapje të kontrolluar, masat dhe ndëshkimet do t’i marrim së bashku. Nuk do të dëshiroja që pas lehtësimit të masave, të mbyllet ndonjë federatë të mbyllet për shkak të mosrespektimit të protokollit. Ju lutem ta merrni këtë mesazh. Shumë shpejt do të bëhet një vlerësim dhe brenda ditëve do të njoftoheni për heqje të kufizimeve”, ka thënë Zemaj në Forumin për Sport.

E trajneri i xhudos Driton Kuka, ka thënë se ka ardhur koha që aktivitetet sportive të fillojnë.

“Ka ardhur koha qe aktivitetet sportive të fillojnë sepse rrezikojmë të humbim atë që kemi krijuar për 20 vjet”, ka thënë Kuka.

Aktivitetet sportive në Kosovë ishin ndaluar me masat e Qeverisë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi, ka shtuar se gjitha vendimet janë marrë bashkërisht me federatat e Kosovës.

“Të gjitha vendimet kanë qenë vendime që janë marrë bashkërisht me federatat e Kosovës. Kemi treguar maturi, sepse shëndeti është në radhë të parë. Sporti është masiv dhe ka ditur t’i respektoj masat e vendosura. Ka pas lojë të Superligës në futboll, por ato janë zhvilluar duke i respektuar gjitha rregullat e institucioneve të shëndetësisë”, ka thënë Dumoshi. “Pakoja emergjente e ndarë nga Qeveria Hoti do të dedikohet për klubet, pasi jemi të vetëdijshëm që bizneset nuk kanë mundur të ndihmojnë klubet gjatë pandemisë. Do të bisedojmë bashkë me kryetarin e KOK, Besim Hasani dhe federatat sportive, për kriteret dhe mënyrën e ndarjes së tyre. Falënderoj trajnerin e xhudos, Driton Kuka dhe të gjitha federatat sportive, si dhe klubet për organizimin dhe mbajtjen në formë të sportistëve gjatë kohës së pandemisë”.

Gjatë Forumit ka pasur edhe ankesa për ndalimin e aktivieteve në disa sporte e lejimin në disa tjera. 

“U lejua futbolli, u liruan fitneset e mbyllura me hapësirë të ngushtë ku bëhen prekje të pajisjeve stërvitore. U lejuan pishinat e mbyllura dhe u ndaluan ato të hapura. Më është dukur absurde që nuk janë lejuar aktivitetet te klubet e basketbollit. Pse po ndodhin këto absurditete?” – ka thënë ish-basketbollisti dhe trajneri, Fikret Shatri, në emër të komunitetit sportiv.

Por, Zemaj ka thënë se gjitha masat janë analizuar. 

“Mund të duken në pamje të parë absurde, por për ne që kemi bërë analiza nuk janë. Është e vërtetë që kemi pasur kërkesa nga ana e juaj. Është kërkuar me lëvizë shpejtë. Ne tashmë kemi marrë rekomandimet dhe manualet e MKRS-së dhe federatave. Disa aktivitete kanë qenë të mbikëqyrura nga ne dhe FIFA, e janë lejuar të zhvillohen me masa strikte. Mos mendoni që e marrim me mënyrë tendencioze ndonjë vendim. Nuk është vetëm sporti, kemi edhe aktivitete tjera”, ka thënë Zemaj.